Skënder Gega ka folur përpara ndeshjes me Tiranën në konferencën për shtyp. Pavarësisht se nuk do të jetë me të gjithë lojtarët në dizpozicion, trajnerin i korçarëve nuk zgjedh që të “qahet” dhe të kërkojë justifikime pa nisur takimi me ekipin më të mirë në Superiore. Përkundrazi, është shumë optimist për marrjen e rezultatit pozitiv edhe me lojtarë të rinjë. Ndërkohë në media ka qarkulluar lajmi se Vitija ka thyer rregullat e klubit dhe ka marrë dënim nga Gega. Një përgjigje vjen edhe për këtë çështje të ngritur.
“Do të mundohemi që të japim maksimumin. Dëmtimet na kanë penalizuar dhe na kanë gjetur në një kohë jo të përshtatshme. Gjithsesi edhe këta djemë që do të jenë në gatishmëri do të japin maksimumin. Tirana? Është me meritë në vendin e parë, por pikët nuk janë ato që tregojnë vlerën e ekipeve. Me gjithë respektin për Tiranën, por ne do të shohim hallin tonë dhe do të kërkojmë maksimumin. Këtë herë do të jetë shansi i atyre që nuk kanë pasur minuta. Sigurisht që do të jenë më të mirët në fushë.
Kemi afruar disa element nga U-19 që janë kampionë. Quhesh i ri, jo i vogël. Kur je i ri ke freski dhe dëshirë për të luajtur. Sigurisht që jemi optimist, nuk futesh në fushë pesimist. Vitija është i falur, nuk ka të dënuar. Më vjen keq që shumë gjëra unë nuk i di dhe gazetat i dinë. Klubi kanë rregullat e tyre, unë kam rregullat e mia gjithashtu, jo teket e mia. Vitija është sqaruar, është djalë i mirë dhe do të luajë, po punon shumë mirë”, tha Gega. /Sport Ekspres/