Mbas shumë viteve të vështira dhe plot dritë hije, kampionati italian po rritet dhe është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në nivelin e kërkuar. Seria A mbetet gjithmonë një betejë taktike dhe me ekipe që i zvogëlojnë më maksimum hapësirat në fushën e blertë, por kualiteti po rritet dhe transferimi i Ronaldos te Juventus i ka dhënë një tjetër imazh futbollit italian.
“Gazzetta dello Sport” ka publikuar formacionin e lojtarëve më të paguar dhe dominohet nga klubi bardhezi me plot 8 lojtarë, ndërsa Milani ka dy përfaqësues për ta mbyllur me Interin, që përfaqësohet me Asamoah. Skema e zgjedhur është 4-2-3-1 dhe duke llogaritur që Higuain dhe Asamoah ishin pjesë e Juventusit në sezonin e kaluar, mund të themi që është pothuajse një formacion i ekipit torinez.
Nisim nga porta. Xhanluixhi Donaruma është gardiani më i paguar. 19-vjeçari i Milanit përfiton një rrogë prej 6 milionë eurosh në sezon, që e përfitoi nga rinovimi gjatë sezonit të kaluar. Leonardo Bonuçi është mbrojtësi më i paguar me 5.5 milionë euro në sezon, ndërsa Xhorxho Kielini me 4 milionë. Asamoah dhe Kanselo renditën në krahët e mbrojtjes, ashtu siç ndërruan krahët: njëri la Interin për të kaluar te Juventus, ndërsa tjetri zgjodhi rrugën e kundërt, duke lënë Juventusin për të kaluar tek Interi. Portugezi i Juventusit merr 3 milionë euro në sezon, të njëjtën shifër që përfiton ganezi i Interit.
Mesfusha është e gjitha bardhezi. Emre Çan dhe Pjaniç janë dy qendrat më të paguara me gjermanin, i cili la Liverpulin për të kaluar në Torino, aty ku përfiton 5 milionë euro në sezon, ndërsa boshnjaku vjen nga rinovimi i kontratës së re në të cilën përfiton 6.5 milionë euro në sezon. Krahët përbëhen nga Dagllas Kosta, i cili përfiton 6 milionë euro në sezon dhe Kristiano Ronaldo më rrogën e tij të ‘çmendur’ prej 31 milionë eurosh në sezon. Paulo Dibala shfaqet në rolin e fantazisti dhe 24-vjeçari përfiton 7 milionë euro në sezon. Maja e sulmit i përket Gonzalo Higuain, i cili ka Juventusin për të kaluar te Milani, klub në të cilin përfiton një rrogë prej 9.5 milionë eurosh në sezon.