Premier Liga ka publikuar çmimet e më të mirëve të muajit gusht. Lukas Moura i Totenhemit është shpallur futbollisti i muajit me tre gola të shënuar në tre ndeshje, ku bie në sy dygolëshi i shënuar në “Old Trafford” përballë Mançester Junajtid.
? @LucasMoura7 has been named August’s @premierleague Player of the Month! ?#COYS pic.twitter.com/DeJb4Wzk6Q
— Tottenham Hotspur (@SpursOfficial) September 7, 2018
26-vjeçari brazilian u transferua në janarin e këtij viti nga PSG dhe sezonin e ri e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Moura triumfoi, duke lënë mbrapa lojtarë si: Markos Alonso (Çelsi), Neil Etherixh (Kardif), Sadio Mane&Van Dijk (Liverpul), Benxhamin Mendi (Mançester Siti) dhe Roberto Pereira (Uatford).
Havi Gracia, trajneri i Uatfordit, është shpallur trajneri më i mirë i muajit gusht. 48-vjeçari spanjoll po shijon një moment të artë, sepse ka fituar katër ndeshjet e para duke e ngjitur Uatfordin në krye të tabelës, bashkë me Liverpulin dhe Çelsin.
“Unë jam shumë i kënaqur dhe po e shijojmë momentin. Mos shikoni vetëm fundin e rrugës, por përpiquni të kënaqeni çdo ditë. Përpiquni të shijoni atmosferën e mirë. Të gjithë që na ndihmojnë dhe tifozët që po na mbështesin në çdo ndeshje janë të mrekullueshëm. Jam i mendimit që të gjithë bashkë mund të bëjmë gjëra të bukura”, komenton Gracia, që solli tek Uatfordi këtë çmim pas shumë kohësh. Sançez Flores e kishte fituar për herë të fundit në dhjetor të vitit 2015.
Në fund është shpallur dhe goli më i bukur i muajit gusht. Zhan Majkëll Seri i Fulhemit është shpallur fitues. Mesfushori nga Bregu i Fildishtë shënoi një gol të mrekullueshëm në fitoren 4-2 përballë Bërnleit, duke arritur të fitojë çmimin e golit më të bukur.