Më të mirët dhe më të dobëtit/ Paradoksi i mbrojtjes ku çalon veterani dhe Sota i nivelit të lartë, ja kush spikati te Tirana-Partizani

Nga Klaudio Ndreca

Tirana-Partizani ishte ndeshja e shumëpritur e kësaj jave dhe pritshmëritë u përmbushën duke parë spektaklin e ofruar, më veçanërisht nga ana e tifozëve. Këta të fundit ishin për notën maksimale duke i dhënë jetë futbollit dhe kryeqytetit pasi ishte “pjatë e varfër” ajo që na u ofrua nga ekipet.

Por kush ishin lojtarët që spikatën në derbi? “Sport Ekspres” vjen me një analizë për të veçuar futbollistët më të mirë dhe më të dobët të këtij derbi. Nëse flasim për Tiranën, është vërtet për t’u duartrokitur mënyra sesi është rritur kjo skuadër me të gjithë elementët e saj. Shehi zgjedh që të lërë jashtë një lojtar si Xhixha që dukej me rëndësi jetike për bardheblutë, por rezultati dhe loja i jep të drejtë trajnerit.

Kaq për të kuptuar se te kjo Tiranë është fryma e grupit fituese, jo individi. Reparti mbrojtës me Behiratce-Hoxhallari dhe Ismajlgeci-Toshevski ishin në perfeksion pasi nuk i lanë thuajse asnjë mundësi të vetme Partizanit që të rrezikonte portën e Bekajt. Gjithashtu edhe në mesfushë, lojtarët janë rritur së tepërmi dhe kanë arritur një tjetër standart.

Toli dhe Totre ishin dy motorët e mesfushës së bardhebluve që fituan jo pak duele për t’i dhënë frymëmarrje prapavijës dhe duke nisur më shumë topa në drejtim të sulmit. Të dy zhvilluan një ndeshje të nivelit mbi mesatar, ndërsa për t’u veçuar është edhe Seferi. Sulmuesi shpenzoi pafundësisht energji duke u kthyer edhe në mbrojtje vetëm për t’i dhënë kontributin e tij Tiranës.

Ngo ishte një hap më pak se Seferi pasi nuk mund të përshkruajë shumë kilometra dhe shpeshherë tregohet kaotik kur duhet të bëjë detyrën e tij sulmuese, nuk di se çfarë bën me topin në zotërim për të prodhuar produktivitetit, por është “e keqe e domosdoshme”. Thuajse të gjitha topat e gjatë që vijnë nga mbrojtja dhe portieri ulen nga Ngo për shokët e ekipit dhe kjo e bën ndeshjen e tij disi pozitive.

E këtu nis dallim i madh! Nëse te Tirana është e pamundur që të vlerësohen lojtarë të caktuar, por gjithmonë dallohen si repart, te Partizani vjen e kundërta. Futbollistët bëjnë performanca të nivelit të ndryshëm, shumë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe lëvizin mes ekstremeve. Sota konfirmoi edhe njëherë tjetër se është mbrojtës i një niveli të lartë. Vetëm mendoni për një moment se futbollistit në fjalë i është besuar për herë të parë nga minuta e parë kundër Kukësit dhe Tiranës, duke shkëlqyer në dy takimet.

Një shenjë e qartë kjo se Sota e ka projektuar veten për të luajtur në nivele edhe më të larta në sezonet e ardhshme, jashtë Shqipërisë. Gjakftohtësia e tij bie në sy lehtë dhe duelet i fiton si të ishte një veteran që mbante veshur fanellën prej vitesh me Partizanin. Ky ishte ylli i mbrojtjes, pa harruar edhe performancën pozitive të Saliou. Në minutat e para arriti që të hiqte një gol të sigurtë nga porta e Partizanit dhe mbi të gjitha tejkaloi atë paraqitje negative ndaj Kukësit.

Paradoksi qëndron te fakti se te Partizani çaloi i vetmi mbrojtës veteran, Belica, që i dhuroi golin e fitores Tiranës, por shkëlqyen dy futbollistët e rinj. Musta është një tjetër pikë kyçe e këtij Partizani që po mban vazhdimësinë e tij duke i dhënë shpejtësi dhe thellësi krahut. Por në mesfushë, bardheblutë sunduan dukshëm dhe ishin më mirë në cilësi sesa kundërshtari.

Ende nuk po arrihet të kuptohet se përse Maguethe nuk po i jepet besimi për të luajtur 90 minuta të plota, kur ka treguar në këto ndeshje se është mesfushori më i mirë që ka Partizani në cilësi, madje duke tejkaluar edhe Ergys Kaçen. Të paktën për çfarë na ka paraqitur fusha e lojës deri tani, pasi në letër shkruhet ndryshe. Është thuajse e pamundur që t’ia heqësh topin nga këmbë, fiton pjesën dërrmuese të dueleve dhe mbi të gjitha ka inteligjencë të madhe në pasimin e kryer. Mëkat që një futbollist i tillë të rri në stol.

Loja e Murataj nuk është parë shumë, ndërsa Mala duket se është disi më i qetë pas rikthimit nga Turqia, ka humbur nga shkëlqimi i dikurshëm. Ndërkohë lojtarët më të dobët për Partizanin janë në sulm, veçanërisht Filipovic. Performanca e tij ndaj Tiranës ishte njësoj si Partizani të luante me 10 lojtarë. I padukshëm në fushë, e pamundur që t’i bënte keq mbrojtësve kundërshtar dhe Kardozo i versionit më të keq, i sezonit aktual, është shumë më i mirë për Partizanin se ky Filipovic që u paraqit ndaj Tiranës. Ndërkohë Stenio Zhunior vazhdon që të qëndrojë larg zonës dhe e ka të pamundur që të provojë portën, por mbetet i kufizuar edhe në aftësitë e tij dribluese pasi Shehi kishte menduar për t’ia zënë të gjithë hapësirën. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online