Dejan Lovren i dha fund me Liverpulin verën e shkuar. Kroati nuk kishte vend në formacionin e Jurgen Klop, duke zgjedhur kështu largimin dret Rusisë, ku mban veshur fanellën e Zenitit të Shën Peterburgut. Nënkampioni i botës shpesh herë kthehej në qendër të vëmendjes për gafat e tij në fushën e lojës, por në kushtet e sotme, do të ishte një alternativë për të kuqtë, që vuajnë nga dëmtimet e shumta në mbrojtje.
Vetë Lovren tregon për “Sport Express” se Liverpulit i mungojnë shërbimet e tij. Sipas kroatit Klop ia ka bërë vetë të qartë një gjë të tillë përmes mesazheve që i ka dërguar. Megjithatë 31-vjeçari nuk shfaq shenja pendese për largimin e tij nga “Anfield”.
“Jo, nuk pendohem. Vendimi im në verë ishte i paluhatur për t’u larguar nga Liverpuli dhe unë nuk shoh prapa. U mërzita sezonin e kaluar kur nuk luaja, por tani gjithçka është ndryshe. Mendoj më shumë i mungoj unë Liverpulit se sa më mungon Liverpuli mua. Jurgen Klop e di këtë, sepse ne flasim. Ai më shkroi kohët e fundit: ‘Na mungon‘”, ka thënë Dejan Lovren./Halit Delibashi-Sport Ekspres/