Më në fund, Milani shet një mbrojtës të harruar

Në vitet e fundit të Milanit të drejtuar nga Adriano Galiani shumica e blerjeve ishin më kosto shumë të ulët ose falas, për shkak të krizës së klubit.

Një ndër operacionet e fundit të Galianit ishte Gustavo Gomez: qendërmbrojtësi i Paraguait kaloi nga Lanusi te Milani falas, një operacion i mirë, pasi bëhej fjalë për një futbollist të ri dhe titullar në kombëtare, që edhe nëse nuk përmbushte pritshmëritë, sërish mund të shitej.

Në sezonin 2016/17 Gustavo Gomez luajti rreth 1000 minuta në Serinë A, por nuk është se spikati, në një Milan plot halle. Më pas, me ndryshimin e pronësisë dhe trajnerit, gjërat për paraguajanin u ndërlikuan, sepse nuk ishte në planet e klubit, por ndërkohë asnjë ofertë nuk ishte e tillë që të kënaqte Fasonen e Mirabelin. Boka Zhuniors e kërkoi në ngulm, aq sa agjenti i lojtarit u tërbua me Milanin, sepse Gustavo Gomez e kaloi sezonin e fundit mes stolit e tribunës në Milano, ndërkohë që luante rregullisht vetëm në kombëtare.

Tani makthi i 25-vjeçarit merr fund, sepse Milani ka gjetur marrëveshjen dhe e shet te Boka Zhuniors për 6 milionë euro, shifër aspak e vogël për një lojtar që nuk luan futboll prej një viti. Në këtë mënyrë, vijon spastrimi te Milani, ku ka ende shumë lojtarë të panevojshëm për Gatuzon.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *