Milani më i mirë i sezonit, fitorja e tretë rresht dhe tifozët kuqezinj kanë të drejtë të gëzojnë, edhe pse renditja mbetet mediokre. Sot Milani mundi 2-1 Lacion, duke luajtur një ndeshje fantastike krahasuar me futbollin që ka luajtur këtë sezon.
Milani shënoi me Kutronen në fillim, edhe pse goli duhej anuluar për një prekje me dorë pas gjuajtjes me kokë.
Marushiç barazoi për Lacion dhe më pas Luis Alberto goditi traversën, por ishte vetëm një moment dobësie për Milanin, që gjeti forcën të kalonte sërish në avantazh, me Bonaventurën që mposhti Strakoshën me një goditje të fortë me kokë, i pambuluar në qendër të zonës.
Në pjesën e dytë ritmi i lojës u ul, Inzagi hodhi në fushë Felipe Anderson e Milinkoviç-Saviç dhe Lacio tentoi deri në fund të barazonte, duke i shkuar shumë pranë, por goli nuk u duk.
Humbja e parë pas 8 ndeshjesh për Lacion, që po luante një futboll të shkëlqyer dhe nëse u mund në San Siron e mbushur, do të thotë se Milani po shërohet.