“Më mbeti peng, tani do të shikoj “Anfield”-in e vërtetë”, Gasperini emocionohet nga stadiumi mitik: Për të bërë figurë të mirë duhet…

Atalanta do të përballet mbrëmjen e nesërme me Liverpool-in në çerekfinale të Europa League-s. Gasperini është paraqitur përpara gazetarëve në konferencë për shtyp, ku nuk i fsheh emocionet që ndjen në prag të kësaj sfide. Trajneri i Atalantës është shprehur se hera e fundit në “Anfield” ishte një peng për të, pasi ndeshja u luajt pa praninë e tifozëve. Por mbrëmjen e nesërme është i bindur se do të shohë “Anfield”-in e vërtetë.

“Të qenurit këtu është gjithmonë një emocion. Po flasim për një nga stadiumet më të bukura në Europë. Herën e fundit nuk kishte tifozë dhe ishte një peng, por tani do të shikojmë “Anfield”-in e vërtetë. Jemi duke luajtur kundër ekipeve më të mira të Premier League-s dhe kundër modelit më të bukur të futbollit në aspektin se si i interpretojnë ndeshjet dhe intensitetin që zbatojnë. Do të na duhet të bëjmë më të mirën tonë për të bërë një figurë të mirë. Ekipet kanë ndryshuar shumë në krahasim me 4 vite më parë”, ka thënë Gian Piero Gasperini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/