Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në cilësinë edhe të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s mori pjesë në punimet e Kuvendit të Rregullt Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, që u zhvillua sot në Prishtinë. Së bashku me Presidentin Duka në këtë kuvend morën pjesë edhe Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuriu dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Në nisje të punimeve të Kuvendit, Presidenti Duka mbajti një fjalë përshëndetëse ku i përcolli FFK-së përshëndetjet e Presidenti të UEFA-s, Alexander Ceferin, teksa shprehu edhe mirëjohjen për të gjithë ata që japin kontributin e tyre për zhvillimin e futbollit të Kosovës. Presidenti i FSHF-së theksoi se vitet e fundit ka pasur një zhvillim të madh të futbollit në Kosovë dhe kjo mund të kuptohet fare lehtë nga projektet dhe rezultatet e arritura në fushë.
“Më lejoni t’ju përcjell përshëndetjet e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe të Presidentit Alexander Ceferin, i cili së shpejti do të vizitojë Kosovën për të parë nga afër zhvillimin e futbollit kosovar dhe investimet e bëra nga FFK. Mirënjohja ime personale dhe e UEFA-s për të gjithë ju që jeni këtu në këtë Kuvend, por edhe për të gjithë ata që mbajnë gjallë futbollin e Kosovës, që investojnë kohën e tyre, financat e tyre dhe investojnë gjithçka për të njohur suksese të njëpasnjëshme çdo ditë në futbollin e Kosovës. Futbolli në Kosovë ka parë shumë zhvillime pozitive, sidomos pas pranimit në të FFK-së në UFEA dhe në FIFA. Projektet kanë qenë në të mëdha, projektet e zhvillimit në infrastrukturë, ristrukturimit apo riorganizimi i Federatës së Kosovës, e cila padyshim është një organizatë e cila mund të mirëmenaxhojë dhe të organizojë jo vetëm garat, por gjithçka dhe me një vizion të qartë për futbollin në Kosovë.
Kemi parë zhvillime infrastrukture konkrete nëpërmjet programit HatTrick, që FFK nën drejtimin e Presidentit Agim Ademi ka ditur ta shfrytëzojë më së miri, duke ndërtuar qendrën stërvitore në Hajvali, përmirësimin e disa fushave stërvitore për klube, përmirësimi i zyrave ku ne jemi sot dhe të gjithë anë të befasuar për infrastrukturën fantastike të FFK-së. Kjo tregon se jemi në rrugën e mbarë, suksese të mëtejshme na presin dhe loja jonë është e sigurt”, – tha Presidenti Duka, , duke theksuar se zhvillimi i futbollit të Kosovës shihet në të gjitha parametrat, qoftë në riorganizimin më të mirë të klubeve kosovare dhe në një kohë të shkurtër ndryshimet janë shumë të mëdha.
“Progresi i bërë shihet në numrin e pjesëmarrjes së klubeve kosovare në edicionet e Kupave të Europës në një kohë të shkurtër, nga tre në katër, shihet në rezultatet e ekipit Kombëtar, një ekip që në Nations League duke iu afruar kualifikimit në finalet e Euro 2022 apo në rezultatet e fundit, siç ishte barazimi në Zvicër, që mendoj se nuk është pak. Vendimet e juaja mendoj se kanë qenë të drejta deri më sot dhe unë uroj që vendime të drejta të merrnin dhe në të ardhmen e futbollit të Kosovës. Sepse sot është një ditë e rëndësishme, pasi ju do të zgjidhni presidentin e federatës për 4 vitet e ardhshme. Unë uroj që të kemi një Kuvend sa më të mbarë, uroj dhe besoj shumë që futbolli i Kosovës të shohë zhvillime akoma më të mëdha.
Padyshim që është loja më e dashur në botë, por të jetë edhe loja me e dashur në Kosovë. Të gjithë ne që jemi në këtë sallë edhe apo edhe të tjerët jashtë kësaj salle të sillemi me lojën apo me njëri-tjetrin me sportivitet. Çdo lloj kritike apo vërejtje, çdo lloj alternative për drejtimin e FFK-së është frytdhënëse, është e mirë. Asnjë lloj baltosjeje nuk i sjell asnjë të mirë lojës tonë të dashur. Unë i ftoj të gjithë që ta bashkojnë akoma më shumë futbollin kosovar, sepse në fund të fundit objektivi ynë i vetëm është loja, futbolli”, – theksoi në fjalën e tij Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Në përfundim të procesit të votimit Agim Ademi u rizgjodh President i Federatës së Futbollit të Kosovës për një mandat të ri katërvjeçar, pasi mori 42 vota pro. Menjëherë pas rizgjedhjes, Presidenti i FSHF-së, Duka e ka uruar z. Agim Ademi për mandatin e ri, duke shprehur njëkohësisht dëshirën për sa më shumë suksese në të ardhmen për futbollin e Kosovës dhe FFK-në.