Me futbollin që është përqendruar më së shumti te paratë dhe përfitimet ekonomike, shpesh thuhet se në ditët e sotme këtij sporti i mungojnë shembujt për t’u ndjekur. Por, heroi i ditës vjen nga Gjermania, aty ku Andreas Luthe fitoi zemrat e të gjithë opinionit.
Portieri i dytë i Augsburgut ishte gati të mbronte me çdo kusht portën e ekipit të tij. Një ndeshje të cilën nuk kishte ndërmend ta humbiste, pavarësisht problemeve fizike. Ai luajti në takimin e humbur 1-0 në fushën e Bajer Leverkuzen.
Portieri 31-vjeçar, zbriti në fushë edhe pse kishte thyer një gisht. Një vendim, i cili shpjegohet me faktin se Luthe dëshiron të mbetet numri 1 i portës. Por, sikur dëmtimi në gisht të mos mjaftonte, ai pësoi edhe një goditje me gju në fyryrë nga Alario-n: gjatë përplasjes, portieri kafshoi gjuhën dhe një copë e vogël u shkëput.
Çdo futbollist tjetër do të ishte larguar nga fusha, por jo Luthe. Ai vazhdoi të luante, me synimin që të mos i braktiste shokët e ekipit te Augsburgut. “Vazhdoja të pështyja gjak. Mjekët më pyetën nëse doja të vazhdoja lojën. Ashtu bëra!”. Një hero i futbollit modern.
Pas një karriere të kaluar në kategoritë e vogla, ai kërkoi të harronte vuajtjet e dy sezoneve të fundit në Bundesligë, ku ka qenë rezervë. Në këtë sezon erdhi ndryshimi i madh, ku trajneri Baum e aktivizoi titullar kundër Bajernit, me Augsburgun që barazoi 1-1 falë pritjeve të portierit. Prej atij momenti Luthe nuk e humbi më vendin e titullarit dhe nuk ka ndërmend t’a lëshojë lehtë.