Me, apo pa Tiranën…

Pas 2 muajsh pushimesh e një muaji merkatoje të ethshme, Kategoria e Parë zbret sot në fushë. Deri dje tregu ishte i hapur dhe lëvizjet kanë vazhduar deri në orët e fundit, si për të vërtetuar se është një kampionat kaotik, ku shumë gjëra nuk funksionojnë. Do të kemi sërish probleme në disa fusha, do të kemi sërish terrene të papërshtatshme për të luajtur, akuza për arbitrime skandaloze e marrëveshje të pista. Gjëra rutinë, nuk habitin askënd.

Por, do të kemi edhe futboll. Kategoria e Parë nga viti në vit po prodhon gjithnjë e më shumë futboll. Po kjo Kategori e Parë dërgoi vjet në Superiore Luftëtarin, që me pak rregullime për pak shkoi në Europë. Kjo Kategori e Parë dërgoi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë Besëlidhjen, ekip fantastik, që eliminoi Partizanin e Flamurtarin, pa asnjë dallaver, asnjë “më lër kupën, të të le kampionatin”.

Kjo Kategori e Parë këtë sezon do të ketë edhe Tiranën brenda. E vështirë për t’u besuar, por bardheblutë duhet të vuajnë, të paktën për një vit. Ndoshta më mirë kështu, sepse Tirana e viteve të fundit, që zvarritej në Superiore, ishte për të ardhur keq. Është viti i rindërtimit, thuhet. Superkupa ishte sinjal i mirë, sot kthehen edhe tifozët. Tirana në të Parën është një lajm i keq për rivalët, thonë shumë tifozë e specialistë, sepse vështirë se ndokush në grupin e vet do t’i bëjë ballë.

Pak rëndësi ka, do të kemi stadiume më të mbushur, festë nëse fitohet ndaj bardhebluve, ndeshje me drita për herë të parë në këtë kategori. Do të kemi sërish talente, sepse Kategoria e Parë po prodhon pak nga pak. Do të kemi edhe një duel të fortë në veri, sepse Besëlidhja e Kastrioti duken “top”, për të mos shtuar ndonjë ekip surprizë. Më mirë me Tiranën, apo pa Tiranën? Pak rëndësi ka, sepse sot nis të luhet futboll, nuk ka më kohë për analiza e opinione, koha fluturon…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *