Sfida e luajtur në “Elbasan Arena” ka përfunduar me shifrat 0-0. Pjesa e parë ka qenë e ftohtë dhe pa raste, ndërsa e njëjta gjë nuk vlen për fraksionin e dytë të ndeshjes. Në 45 minutat e dyta skuadrat janë futur me tjetër ritëm, ku në të dy krahët kanë pasur shanset e tyre për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Në sekondat e fundit të minutave shtesë Aralica mposht Alban Hoxhën, i cili pavarësisht devijimit nuk mund ta shmangë golin. Në kampin shkodran nis menjëherë festa, por që shpejt i lë vendin ankthit dhe nervozismit. Gjyqtari i takimit shkon të shohë pamjet në VAR, duke ndryshuar më pas vendimin e tij dhe anullon golin.
Kaq ka mjaftuar që të shpërthejë tensioni, teksa sapo është dëgjuar vërshëllima përfundimtare lojtarët e Vllaznisë kanë rrethuar menjëherë gjyqtarin. Madje është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë për të larguar trupën gjykuese nga fusha. Në këto kushte, do të jetë gjysmëfinalja e dytë në “Loro Boriçi” ajo që do të vendosë gjithçka sa i përket ekipit që do i shkojë deri në fund kompeticionit të Kupës së Shqipërisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Partizani: Hoxha, Marku, Belica, Bitri, Sota, Matondo, Murataj, Mala, Kallaku, Skuka, Stenio Zhunior.
Vllaznia: Zogoviç, Kruja, Adili, Dianje, Hakaj, Jonuzi, Krymi, Latifi, Da Silva, Hoxhaj, Aralica