Racizmi është ngulitur thellë në futbollin italian dhe rasti i radhës na vjen nga kategoritë inferiore. Gueje As Dia është 25 vjeç, senegalez dhe luan si portier prej dy vitesh me ekipin e Serinos. Gjatë ndeshjes së fundit kundër Real Sarnos (e mbyllur në barazim 2-2), ai është ndëshkuar me të kuqe nga arbitri i ndeshjes.
Por, jo vetëm kaq. Pasi i ka treguar kartonin arbitri e ka ofenduar gardianin me fjalët: “mbylle gojën, zezak”, siç raporton “Il Mattino”. Afrikani po protestonte për një pozicion jashtë loje, por arbitri është treguar i pamëshirshëm me të.
Portieri është larguar mes lotëve, por në fushë ka zbritur menjëherë presidenti i tij. Donato Trota ka hyrë në fushë, i ka zgjatur dorën kryesorit të sfidës dhe i është drejtuar ekipit të tij: “djema, gjithçka mbyllet këtu. Le të largohemi.”
“Pashë lojtarin tim duke lotuar dhe vendosa menjëherë të tërhiqja skuadrën nga fusha. Kampionati duhet ndaluar. Nuk lejoj askënd të shkelë mbi dinjitetin e djemve të mi dhe veçanërisht mbi dinjitetin tim. Kësaj radhe u kaluan limitet dhe kërkoj një hetim federal. Po përgatisim një pankartë që do e hapim në stadium dhe do ua dërgojmë të gjithë ekipeve të kampionatit. Nëse kampionati nuk ndalet, javës tjetër do të detyrohemi të zbresim në fushë, por do të ishte një turp i madh”, përfundon presidenti Trota.