Mbrojtja në fokus, Musta opsioni i parë për Kukësin

Jurgen Zela

Kukësi do të veprojë shpejt në merkato, pasi ka si synim që para nisjes për në Slloveni skuadra të jetë kompletuar. Porta është e siguruar dhe ka tepricë, pasi tanë pjesë e Kukësit janë plot 4 “gardianë”, pas ardhjes së Malokut. Sulmi mbetet problemi më i madh i Kukësit, ku momentalisht Kalaja është i vetmi lojtar në këtë repart. Gjithsesi, verilindorët ende nuk e kanë prezantuar shkodranin, edhe pse është mbyllur marrëveshja mes palëve. Gjithsesi Kukësi nuk do të fokusohet vetëm te sulmi, pasi për ndërhyrje kanë dhe repartet e tjera. Pak ditë më parë u largua Eni Imami dhe verilindorët menjëherë kanë nisur negociata për të gjetur pasuesin e tij.

MUSTA

Vetë Emiljano Musta pak ditë më parë në një intervistë për “Supersport” zbuloi se kishte oferta nga një skuadër që merrte pjesë në Kupat e Europës, por pa zbuluar emra skuadrash. “Sport Ekspres” mëson se janë nënkampionët e Shqipërisë ata që e kanë në fokusin e tyre. 26-vjeçari preferohet nga trajneri Peter Pakult dhe ka nisur interesimi nga ana e Kukësit për lojtarin, i cili është aktivizuar në radhët e Flamurtarit në sezonin që sapo u mbyll. Musta është një lojtar me eksperiencë në kampionatin shqiptar, teksa ka luajtur në të shkuarën me Elbasanin, Partizanin, Shkumbinin, dhe Teutën. Mund të jetë akoma më joshës për blutë që Musta aktivizohet në disa pozicione, pasi edhe pse është një mesfushor i majtë, përshtatet shumë mirë dhe si mbrojtës i majtë apo si mesfushor qendre. Mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme nëse do të konkretizohet diçka. Musta e ka pranuar se është i hapur për oferta, megjithatë Kukësi mund të ketë dhe konkurrencë për lojtarin nga Elbasani, pasi dhe Flamurtari mund të mos heqë dorë kollaj, por dhe Laçi po e monitoron lojtarin në fjalë. Këtë sezon Musta është aktivizuar në 33 ndeshje në kampionat me vlonjatët. Edhe pse në pozitën e një mbrojtësi në pjesën më të madhe në ndeshjeve arriti që të shënonte dhe 4 gola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *