“KF Vllaznia sh.a, duke parë interesin e lartë dhe për të ofruar mundësi të barabarta, fton të gjithë të interesuarit për pozicionet: 1. Drejtor Sportiv, 2. Trajner i ekipit Vllaznia; të dorëzojnë një Curriculum Vitae dhe një platformë pune në adresën e-mail: info.kfvllaznia@gmail.com ose dorazi pranë zyrës së Klubit në ambientet e Bashkisë Shkodër.
Afati për dorëzimin e materialeve të kërkuara është dita e premte, datë 27.07.2018, ora 12.00”, – shkruhej në faqen zyrtare të Vllaznisë duke ofruar një nga postimet më qesharake të historisë së futbollit shqiptar. Përtej pjesës qesharake i rëndësishëm është fakti që afati kohor ka mbaruar ditën e djeshme në klubin kuqeblu dhe tashmë priten vetëm prezantimet e emrave të përzgjedhur.
Administratori Suad Lici e theksoi se ekipi do të niste shpejt punën dhe do të mësonte emrat e drejtuesve të rinj. Në Shkodër ka mbetur vetëm zyrtarizimi i tyre. Në rolin e drejtorit sportiv të Vllaznisë do të jetë Alban Hasani, ndërsa trajneri i ri me shumë mundësi do të jetë Ervis Kraja. Puna pritet të nisë ditën e hënë.