Sinqeriteti i një adoleshenti që ka pushtuar botën: Kilian Mbape e di mirë se tashmë është emri më në modë në futbollin botëror dhe nuk bën modestin fals, duke e përfshirë edhe veten në listën e kandidatëve për Topin e Artë.
Sipas France Football, sulmuesi i Francës, i cili mahniti në Kupën e Botës, ka dhënë 5 emra të cilit sipas tij janë kandidatë kryesore për fitimin e Topit të Artë.
Kristiano Ronaldo është në listë, natyrisht, ndërsa Mbape përfshin edhe Luka Modriç, Rafael Varan, Nejmar dhe… Mbape.
Ah, po, në fund shton edhe një emër të gjashtë, Lionel Mesin, sepse gjeniu nuk mund të lihet jashtë, edhe pse në Botëror zhgënjeu me Argjentinën e tij.
Po Antuan Grizman? E çuditshme që Mbape përfshin Varan dhe jo shokun e sulmit te Franca, apo që Nejmar konsiderohet më favorit se Grizman!
Gjithsesi, për ata që janë kuriozë, në tregun e basteve favorit absolut për të fituar Topin e Artë është Kristiano Ronaldo, ndjekur nga Luka Modriç, ndërsa shumë larg tyre janë Mbape e Mesi.