Maxhar: Me dy përforcime do të ishim për në Europë

Numri 2 i stolit shkodran vlerëson merkaton kuqeblu. Ai rikonfirmon kërkesën e stafit edhe për dy blerje, një sulmues dhe një qendërmbrojtës 

Gaspër MARKU

Kanë mbërritur pasditen e së mërkurës në Shkodër, duke lënë pas ditët përgatitore malazeze, ndërkohë që 24 orë më pas, pasditen e djeshme, kuqeblutë janë shfaqur në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”. Kanë rifilluar kësisoj përgatitjet për startin e kampionatit. Një Vllazni, që vjen në një moment shumë të mirë të saj, ose më saktë me më të mirin e viteve të fundit për sa i përket merkatos verore. Pesë blerjet e realizuara gjatë kësaj periudhe janë cilësuar nga opinioni sportiv si më të mirat e viteve të fundit, edhe pse në fakt duheshin edhe elementë të tjerë për sulmin.

MAXHAR – Vlerësim pozitiv për merkaton ka edhe zëvendëstrajneri Aleksandër Maxhar, i cili gjatë një prononcimi për “Sport Ekspres”, ka folur edhe për ditët përgatitore malazeze. Po ashtu, nuk ka nguruar të ritheksojë një kërkesë të stafit teknik se skuadrës i duhen edhe dy blerje, një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Blerje këto, që sipas tij, nëse arrihen të bëhen realitet, e bëjnë Vllazninë pretendente për në Europë. “Sinqerisht, do të kisha qenë shumë i kënaqur po të ishte ofruar edhe një lojtar tjetër sulmues, por edhe një qendërmbrojtës, sepse ka nevojë skuadra për ta. Dhe, nëse arrijnë t’i sjellin edhe këta dy lojtarë në këto pozicione, jam i bindur se ne luftojmë për në Europë”, – shprehet numri 2 i stolit kuqeblu, malazezi Aleksandër Maxhar. I pyetur, nëse kërkesa e stafit teknik do të bëhet realitet, ai thotë: “Nuk e di, por e ritheksoj se kam shumë dëshirë që ata të vijnë.”

Merkatoja është mbyllur në mesnatë, por për Maxharin, edhe nëse dy futbollistët e kërkuar nuk arrihen të merren brenda këtij afati, kampionati shqiptar ka lojtarë cilësorë në këto role. “Në Shqipëri ka lojtarë të mirë dhe nuk është ndonjë problem. Nuk e di, por shpresojmë të ndodhë një gjë e tillë për ndonjë surprizë të mundshme ndaj nesh si skuadër”, – ka shtuar Maxhar.

POST BERANE – Duke folur për përgatitjet e zhvilluara në tokën malazeze, ku për dhjetë ditë kuqeblutë qëndruan në kampingun e Beranes, Maxhar vlerëson punën e bërë në procesin stërvitor gjatë kësaj periudhe: “Jam i gëzuar, sepse lojtarët kanë punuar mirë në Berane dhe do të vazhdojmë stërvitjen edhe këtu në Shkodër. Nga sot (dje) do të vazhdojmë përgatitjet më fort, pasi edhe një javë fillon kampionati. Të shtunën kemi ndeshjen e fundit miqësore kundër Deçiçit dhe kjo do të jetë prova e fundit përpara fillimit të kampionatit”. Sipas ndihëmsit kryesor të Cungut, miqësorja e së shtunës do të jetë një provë e mirë, sepse kampionati malazez është shumë i fortë, madje edhe ekipi i Deçiçit ka qenë pretendent për vendin e tretë.

ERJON VUCAJ – Për zv.trajnerin Maxhar, firmosja me mesfushorin Vucaj ka qenë një veprim pozitiv për klubin kuqeblu. ai e njeh mirë lojën e tij dhe nuk i kursen konsideratat ndaj tij: ”Jam shumë i kënaqur, që është bashkuar me ne, sepse e di që Vucaj është një lojtar shumë i mirë. Bashkë me lojtarët e tjerë, si Charls, Orelesi, Lika, Hasani, etj, jam i lumtur, pasi dihen cilësitë e tyre dhe do të bëjmë më të mirën”, – ka përfunduar Maxhar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *