Shqipëria po përjeton një moment krize dhe faktorët janë të shumtë. Një analizë të asaj që po ndodh e ka bërë edhe Roland Luçi, ish-lojtar i kombëtares që jeton aktualisht në Austri. Ish-trajneri i Vllaznisë ka dhënë një intervistë për “gazetatema.net” dhe e shikon këtë periudhë si një moment ripërtëritjeje.
Largimi i Canës dhe Agollit ka lënë një “gropë” në kombëtare, ndërkohë që shkodrani thekson se edhe Mavraj duhet të zëvendësohej për shkak të asaj që po paraqet pas Europianit. “Pra, më qartë e kam fjalën për të disatën herë, që në ekipin Kombëtar nuk duhet të vegjetoj askush. Ekipi Kombëtar është selia e përkohshme e më të mirëve të momentit. Ne nuk kemi gjeni të atillë futbolli që t’i toleronim mosaktivizimin kronik në klubet përkatëse”, shprehet Luçi, i cili është kundër eksperimenteve pafund në kombëtare.
Më tej ai flet edhe për rritjen e pritshmërive ndaj kombëtares dhe në këtë pikë ai thekson se Shqipëria nuk shkoi në “Francë 2016” vetëm prej anës sportive. “Kombëtarja jonë nuk mund të prenotojë çdo edicion një ‘ballist’, nuk mund të presë dhurata disafishe armene e nuk mund të shpresojë që ne të gjuajmë në portë njëherë e kundërshtari 15 here e përsëri të dalim me pikë nga stadiumi si në ndeshjet ndaj Danimarkës”, thotë Luçi.
Ai prek edhe temën tjetër, atë të Kosovës. Tanimë për Shqipërinë ka më pak lojtarë dhe për trajnerin i duhet dhënë rëndësi kampionatit shqiptar. “Në radhë të parë duhet minimizimi drastik i aktivizimit të të huajve dhe vënia në binarë të plotë legale e ligjore të funksionimit financiar të klubeve shqiptare”.
PANUÇI – “Kur erdhi shpresova në një çlirim të ekipit nga skemat e ngurta të paraardhësit, që orientoheshin ekskluzivisht në rezultat dhe duke lënë mbas dore spektaklin sportiv, por që për fat të keq nga ndeshja në ndeshja shumëçka u zbeh. Nuk duhet të harrojmë se edhe de Biazi u largua nga drejtimi i Kombëtares për mossukses, këtu nuk duhet të kemi asnjë iluzion. ky mossukses ju la si stafetë Panuçit dhe ngritja e stekës me pritshmëri suksesi ‘alla-France’ do të ishte jo fair kundrejt trajnerit. Mendoj se një përsëritje apatike, qoftë dhe e ngjashme ndaj Uellsit, do të jetë dita e fundit e Panuçit me shërbim në Shqiperi. Nga ky fat nuk mund ta shpëtojë as dashamirësi më i afërt i tij”.
HUMBJA ME SKOCINË – “Sikur ndeshja të analizohej nga Komisioni i Etikës së UEFA, sigurisht që do të klasifikohej si ndeshje e manipuluar. Ngulmimi i Mavrajt që të ndëshkohej, vendosjet skandaloze të mbrojtësve tanë në golat e parë dhe të tretë, gabimi në mur që shkaktoi penalltinë (jo një, por disa lojtarë me duar përpjetë?!) ngrenë dyshime serioze: në mos për gabime të ndergjegjshme, të paktën për një menefregizëm, mungesë përgjegjësie të patolerueshme e mosprofesionalizëm evident për lojtarët e ekipit kombëtar, disa prej të cilëve me sa duket kanë keqkuptuar rolin e tyre aty”.
AKUZA TJETËR – “Duhet të marrë fund absolutisht praktika e deritanishme e lutjes, deri lëpirjes jo dinjitoze, ndaj disa aktorëve tekanjoze në ofrimin e nënshtetësisë shqiptare në shkëmbim të kontributit për Kombëtaren. Ky lloj pazari duhet të marrë fund. Kush e ndjen se duhet të përfaqësojë Shqipërinë dhe ndihet krenar për këtë përfaqësim, duhet të jetë i mirëpritur dhe asnjë hap lypsari më tej”.
TRAJNERI I RI – “Mendoj se kampionati shqiptar e ka shumë të vështirë të prodhojë personalitete që të jenë në gjendje të drejtojnë dhe në fund të fundit t’u imponohen një grupi lojtaresh milionerë e shpesh herë tekanjozë aktivë në Europë. Kurse një trajner shqiptar aktiv jashtë shtetit, sigurisht që do të duhej të merrej në konsideratë.
Po të kisha të drejtë vendimi a këshillimi, për nga mentaliteti, disiplina, korrektësia, vëmendja duhet përqendruar te një trajner gjerman. E meqë jemi te trajnerët, përveçse më duket nivel ordiner etike, është dhe gjest provokativ ndaj bashkëkombësit të tij italian Panuçi, shfaqja e përhershme e De Biazit në tribunat e stadiumeve dhe të shtypit. Ky është ndryshimi, me dy trajnerë gjermanë nuk do e ‘shijonim’ një spektakël të tillë”.
INTERVISTA E PLOTË – (Linku: http://www.gazetatema.net/2018/11/20/ekskluzive-ish-sulmuesi-i-kombetares-luci-nese-shqiperi-skoci-shihet-nga-uefa-do-klasifikohet-si-e-manipuluar-ka-ardhur-koha-per-nje-trajner-gjerman/)