Mërgim Mavraj u transferua në janar të këtij viti te Hamburgu, duke dhënë një kontribut të madh në mbijetesën e klubit të famshëm në Bundesligë.
Në një rrëfim për Sky, Mavraj i është kthyer periudhës plot vuajtje bë pranverë, kur pati momente që u mendua se Hamburgu do të binte në Bundesligën 2 për të parën herë në histori.
“Ishte një sezon shumë i vështirë, mbijetuam në fund, në një periudhë shumë delikate. Personalisht, besoja shumë se do t’ia dilnim, vetëbesimi është shumë i rëndësishëm për mua. Jam munduar të tregohem gjithnjë shumë i qetë në mendimet e mia, shpesh kam medituar dhe kjo është e rëndësishme për çdo futbollist, që të njohë më mirë veten dhe të gjejë qetësi të brendshme.
“Muajt e fundit të sezonit ishin të çuditshëm, shpesh mendoja se do të luaja sezonin e ri, në Bundesligën 1 apo 2, mendoja edhe për kombëtaren shqiptare, por gjithsesi jam mësuar, sepse shpesh në karrierë kam hasur situata të tilla”.
Hamburgu është stërvitur fort këtë verë, mes alpeve në Austri: “Kushte ideale, në çdo drejtim. Jemi përgatitur mirë fizikisht, por ambienti fantastik na ka bërë të ndihemi si me pushime. Nga ana mendore kjo fazë përgatitore na ka vlejtur shumë”.