Kamza kërkon që këtë edicion të bëjë mirë në Superiore, me objektivin primar për të mos rrezikuar rënien. Drejtori i skuadrës nga periferia e kryeqyteti, Andi Matraxhiu, për “RTSH Sport” ka komentuar pritshmëritë që ka për edicionin e ri. Matraxhiu shton se skuadra e tij është ende në merkato.
PUNA TEK KAMZA – “Menduam që të bëjmë një punë graduale. E nisëm me disa djem të rinj, duke i gërshetuar me djem me eksperiencë. Nuk mund të citoj emra, pasi krijon hatërmbetje, por ka shumë lojtarë të mirë. Të gjithë i njohin lojtarët që kemi afruar. E rëndësishme është që janë futbollistë që e njohin kampionatin, me përjashtim të ndonjë lojtari që ka ardhur për të parën herë në Shqipëri. Kamza ka një projekt serioz për të ecur në rrugën e duhur”.
OBJEKTIVAT – “Objektivi ynë primar është që të qëndrojmë mes më të mirave, por oreksi vjen duke ngrënë. Ne nuk duam që të deklarojmë objektiva të tjera”.
AFRIMET – Kemi lojtarë shumë të mirë, ku mund të veçoj Zisin, por dhe të tjerë, që shihen si marketing nga ana e klubit. Teqen e kemi marrë në skuadër për të qenë një lider dhe deri tani po e tregon diçka të tillë. Ka një eksperiencë shumë të madhe në Shqipëri, pasi prej 10 vitesh luan në Superiore”.
MERKATO – “Presim dhe një goditje të fundit, krahas një portier. Nuk po nxitojmë, pasi duam një portier me CV të kënaqshme”.
NDESHJA ME TIRANËN – “Tirana është një skuadër që njihet, pasi është 24 herë kampionet e Shqipërisë. E kemi vlerësuar maksimalisht këtë sfidë dhe në fushë presim 11 luftëtarë nga ekipi ynë. Duke lënë veç interesat e klubeve besoj se do të jetë një edicion shumë i bukur për ndjekësit”.