Mata “mjeshtër” i goditjeve të dënimit, më i miri në Premier Ligë

Mançester Junajtid arriti një fitore të çmendur me përmbysje këtë fundjavë, përballë Njukasëll në shifrat 3-2. Një fitore që erdhi si shpëtim për Zhose Murinjos, i cili ishte thuajse i shkarkuar nga stoli i “djajve të kuq”.

Golat u shënuan nga Mata, Marsial dhe Aleksis Sançez. Padyshim goli që ndezi një fije shprese për përmbysjen ishte ai i Huan Manuel Matës në minutën e 70-të, teksa spanjolli ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje dënimi për të mposhtur Njukasëllin.

Pikërisht Mata, me golin e shënuar nga goditja e dënimit fundjavën që lamë pas, shndërrohet kështu në lojtarin më të mirë të Premier Ligë, për sa i përket shënimit të golave direkt nga faulli, që pas mbërritjes së tij në Angli. Mata është bashkuar me Junajtid në vitin 2011 dhe që prej atij viti numëron plot tetë gola nga goditja e dënimit.

Që nga viti 2011 Mata duket se është goditësi më i mirë i goditjeve të dënimit. Ndërkohë në renditjen e të gjithë kohërave Mata ka ende punë për të bërë. Dejvid Bekam është i paarritshëm në këtë renditje, pasi e ka tundur rrjetën plot 18 herë, 6 herë më shumë se vendi i dytë, që mbahet nga Tierri Henri. Kristiano Ronaldo gjithashtu ndodhet në këtë listë më 11 gola të shënuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *