Arlind Ajeti më në fund ka gjetur skuadrën e re. Mbrojtësi i kombëtares do të kthehet në Zvicër, aty ku ka nënshkruar ditën e sotme me skuadrën e Grasshopërit. Ish-lojtari i Torinos ka arritur marrëveshjen me skuadrën nga Zyrihu për një sezon, me të drejtë rinovimi dhe për dy vite të tjera.
Ky është një rikthim në Zvicër për Ajetin, i cili më parë ka qenë pjesë e Bazelit. Mbrojtësi u transferua në Itali ku u aktivizua me Frozinone dhe Torinon, por tani do të luajë sërish në futbollin helvet.
Ka qenë drejtori sportiv i Grasshoperit, Matia Valter, i cili është shprehur: “Ne jemi të lumtur që Ajeti u bashkua me ne, sidomos pas lëndimit të Natanit. Ajeti do të sjell tek ne shumë përvojë dhe do ta ndihmojë shumë ekipin”.