Interi fitoi përballë Frozinones në transfertë me rezultatin 1-3. Golat e Naingolan, Perishiç dhe Vesinos e afrojnë më shumë ekipin zikaltër me kualifikimin në Champions për sezonin e dytë rresht. Xhuzepe Marota ka folur pas ndeshjes për disa tema. Në fillim Ikardi. E ardhmja e sulmuesit është akoma e paqartë, por shumë varet edhe nga dëshira e tij.
Administratori i deleguar ndalet dhe te çështja e trajnerit. Ai vlerëson Spaletin dhe shpjegon se pse emri i Antonio Kontes lidhet me Interin. Marota flet edhe për merkaton dhe e mbyll me Juventusin. Bardhezinjtë kanë krijuar struktura të forta dhe do vazhdojnë të dominojnë kampionatin italian edhe për ca kohë.
IKARDI – “Vlerësimet do të bëhen në kohën e duhur. Mauro është një futbollist i rëndësishëm për ne, por e ardhmja varet edhe nga dëshira e tij. Ai është 26 vjeç, ka edhe dy vite kontratë me ne dhe është një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim.”
TRAJNERI – “Spaleti po e bën skuadrën të udhëtojë drejt objektivave që kemi. Kemi të njëjtat pikë me sezonin e kaluar, por jemi në vend të tretë. Championsi është afër dhe shpresojmë të kualifikohemi. Është e drejtë t’i japim besim trajnerit tonë. Ai po merr rezultate dhe meriton elozhe.“
KONTE – “Emri i tij qarkullon, sepse është një trajner fitues dhe pa punë për momentin. Konte ka fituar me Juventusin dhe Çelsin dhe ka bërë gjëra të mëdha me kombëtaren. Kur një trajner i tillë është i lirë, emri i tij qarkullon afër ekipeve që ndodhen në vështirësi.”
MERKATO – “Familja Zhang dëshiron të përforcojë ekipin. Po negociojmë me Diego Godin, i cili mishëron eksperiencë dhe kulturë fituese.“
JUVENTUSI – “Ata kanë ndërtuar një model fitues, jo vetëm për rezultatet e arritura në fushë. Bardhezinjtë do e fitojnë titullin edhe për disa vite të tjera. Interi ka ndërruar pronarë tre herë në tetë vitet e fundit. Nuk është krijuar akoma stabiliteti i nevojshëm në klub.“