Napoli-PSG është një nga ndeshjet më spektakolare të këtij raundi në Champions. Përballja italo-franceze do të luhet në një “San Paolo” plot dhe të zjarrtë, të cilët do të bëjnë maksimumin për të mbështetur idhujt e tyre dhe për t’ia kthyer “jetën në ferr” lojtarëve të Tomas Tuhel.
Një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja ekipet, që kanë objektiva madhorë dhe duan të avancojnë më tej në këtë kompeticion. Pas tre ndeshjeve të para, kryeson Liverpuli me gjashtë pikë, i ndjekur nga Napoli me pesë dhe PSG me katër të tilla. Sfida e luajtur në Paris përfundoi në barazim 2-2, ndërsa të nesër në mbrëmje gabimet nuk tolerohen më dhe të gjithë janë gati për të dhënë maksimumin.
Një gjë të tillë është gati ta bëjë dhe mbrojtësi Markuinjos, i cili e njeh mirë atmosferën elektrizuese që e pret, pasi ka luajtur për një sezon me Romën. 24-vjeçari brazilian ka folur për ndeshjen me Napolin për “Gazzetta dello Sport”, duke shprehur dhe një urim për finalen e Champions-it.
“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje dhe duhet të fitojmë. Duhet të sillemi sikur të ishte një finale. Futbollistët njihen shumë mirë me njëri-tjetrin. Në ndeshjen e kaluar ata na dominuan në aspektin taktik dhe në stol kanë një trajner me eksperiencë si Karlo Ançeloti. Bufon? Eksperienca e tij ndihmon në rritjen e ekipit dhe klubit. Xhixhi është një person ekzemplar brenda dhe jashtë fushe. Duhet të frymëzohemi të gjithë nga ai. Finalja e Champions-it? Idealja do të ishte një PSG-Roma”, përfundon braziliani i PSG.