“Mario Mitaj mund të kalojë te Manchester City ose Real Madrid”! Bylbyl Sokoli flet për mbrojtësin e Shqipërisë, tregon si mund të bëhet kalimi historik

Mario Mitaj është futbollisti shqiptar që ka shkëlqyer më së shumti në kualifikueset e Europianit. Sipas të gjitha gjasave, do të kemi një kalim të madh të këtij lojtari në merkaton e verës, teksa në mediat italiane u fol për një transferim te Juventusi. Megjithatë i ftuar në emisionin “Koha Shtesë”, trajneri i njohur Bylbyl Sokol mendon se Mitaj është gati edhe për një hap më të madh që do të varet nga prezantimi i Shqipërisë në Europian. (Intervistën e plot të Bylbyl Sokolit në Koha Shtesë e gjeni më poshtë)

“Mitaj është një futbollist me shumë karakter, teknikisht në nivel të lartë, edhe taktikisht po ashtu. Ka shumë karakter në lojë, është i kompletuar dhe në moshë të re. Transferimi i Mitaj do të varet shumë edhe nga prezantimi i Shqipërisë në Europian, nëse kalojmë grupin, do të hidhej një hap i madh. Nuk e di nëse do të ishte më mirë që Mitaj të luante në mbrojtje apo në mesfushë. Duket si mëkat që një lojtar i tillë të rri në mbrojtje. Por e thashë, nëse Shqipëria dhe Mitaj paraqitet në mënyrë mbreslënëse, për mua do të jetë në mesin e 10 ekipeve më të mira në Europë në verë dhe kjo përfshin edhe Barcelonën, edhe Bayern, edhe Realin, edhe Man City. Kushti i vetëm është Europiani”, tha Sokoli. /Sport Ekspres/