Diego Maradona është gati për të nisur aventurën në futbollin meksikan, ku do të drejtojë klubin e Dorados Sinaloa. Argjentinasi i famshëm ka publikuar në rrjetet sociale një postim ku shfaqet i lumtur që ndodhet ne Meksikë.
“Jam i gëzuar për këtë mundësi dhe i lumtur që rikthehem në vendin që më pa të fitoja titullin e Kampionit të Botës”, komenton Maradona. Por, jo të gjithë janë të kënaqur në Meksikë. “Universal” ka kritikuar dhe ofenduar yllin argjentinas dhe ka hapur gazetën me titullin: “I droguari që do të drejtojë në futbollin meksikan”.
Në faqen e parë dallohet dhe një shkrim i Zherardo Velaskez De Leon, i cili e cilëson rrogën prej 150 mijë eurosh të Maradonës si një: “Mungesë respekti kundrejt trajnerëve aktualë” dhe e etiketon Maradonën si: ”Një figurinë e thjeshtë e aftë për të shitur bileta dhe për të hedhur tym syve, po pa patur idenë se çfarë bën”.
Editoriali i “Universal” vazhdon e më tej ku shkruan: “I sëmuri dhe i droguari, i cili ka nevojë për t’u kuruar, sepse ai është një shembull i keq. Gjatë Botërorit të Rusisë, ai dha spektakël me anë të qëndrimeve dhe situatave të mjerueshme”, përfundon gazeta vendase për Diego Armando Maradonën.