Mbrojtësi grek: Na vërshëllyen himnin, m’u duk si luftë. Sulmuesi boshnjak preferon të heshtë
Për Romën çështja është e mbyllur. Gjëra të fushës, përfundojnë atje. Sigurisht, mund të jetë kështu, por klubit nuk i pëlqeu imazhi që dha Edin Xheko duke kapur për gryke shokun e tij të skuadrës te verdhekuqtë Manolas, në ndeshjen Bosnjë – Greqi. Dy shokë skuadre te Roma, por më shumë sesa rivalë me kombëtaret, dy lojtarët nuk kanë ndalur dot nervat, duke krijuar një sherr masiv më pas në ndeshjen e së premtes, atë ndërmjet Bosnjës dhe Greqisë. Një ndeshje e nxehtë, e drejtuar ngj gjyqtari italian, Ricoli, që ka përfunduar me shifrat e bardha, 0-0, çka ka kënaqur pa masë grekët, që tani gjenden sërish 1 pikë në avantazh ndaj sllavëve. Në fund një sherr masiv, atje ku Xhaniotas ka denoncuar se është goditur me grusht nga ndihmëstrajneri i Bosnjës (gjë e parë në tv) duke humbur një dhëmb. Një spektakël shumë i keq dhe i hidhur ai në fushë që sigurisht ka sjellë edhe reagimet e të gjithëve.
REAGMET – Nëse shoku i tyre të skuadrës, Rudiger, ka postuar një foto të të dyve duke bërë shaka, “kush duhet të ketë fituar”, Xheko për momentin ka preferuar të mos flasë, teksa Manolas ka akuzuar. “Gjëra të tilla s’duhen bërë. Ishte një turp, ata s’e respektuan himnin tonë. Këto gjëra nuk përfaqësojnë futbollin, ne duhet të mendojmë për topin, por ajo dukej si një luftë dhe gjëra të tilla duhet të zgjidhen nëpër gjykata”. Që raporti mes dy skuadrave dhe kombëtareve ishte e nxehtë që përpara u kuptua që në ndeshjen e parë. Xheko u përjashtua me të kuq sepse u uli pantallonat Sokratis, por, mbi të gjitha me atë banderolë të tifozëve grekë që komplimentonin serbët për masakrën e Srebrenicës, teksa kjo ka sjellë edhe faljen e Federatës Greke të Futbollit. Dhe të premten ka qenë thjesht vazhdimi.