Italia po përgatitet të përballet me Portugalinë me datë 17 nëntor, ndeshje për Ligën e Kombeve, ndërsa tre ditë më vonë vjen miqësorja kundër SHBA. Roberto Mançini ka dalë në konferencën për shtyp, duke pretenduar një lojë si ajo kundër Polonisë dhe miqësorja kundër Ukrainës.
Mançini ndalet dhe te mungesat e lojtarëve si: Beloti dhe Baloteli, ndërsa insiston se dera e kombëtares është e hapur për të gjithë. Edhe për ata që nuk janë ftuar kurrë. Në fund një koment për afrimin e datës 13 nëntor (dita kur Italia barazoi me Suedinë dhe vulosi mos pjesëmarrjen në Kupën e Botës) dhe për gjestin e polemikat e Zhoze Murinjos me tifozët e Juventusit.
GRUPI – “Duam të vazhdojmë në rrugën e shtruar në Poloni dhe miqësoren kundër Ukrainës, ku luajtëm mirë, por duhet të përmirësohemi akoma. Do të provojmë të fitojmë grupin e Ligës së Kombeve, duhet të fitojmë me Portugalinë dhe të shpresojmë më pas që Polonia të mos humbasë. Është e vështirë, sepse nuk varet nga ne.”
LOJTARËT – “Nuk ka asnjë të dështuar, edhe ata që nuk janë këtu sot, por dhe ata që ishin me ne më parë dhe që nuk janë më, si El Sharaui, madje dhe ata që nuk janë thirrur kurrë. Thjeshtë kemi dashur të grumbullojmë ata lojtarë, të cilët nuk i njihnim. Beloti mund të bëjë shumë më shumë se sa po bën, mund të kthehet lojtari që ishte para dy vitesh.”
13 NËNTORI – “Italia nuk është shëruar, sepse nuk ka qenë kurrë e sëmurë. Fatkeqësisht ndodhi ajo që të gjithë e dimë dhe tani duhet të rinisemi. San Siro mbushet gjithmonë për ndeshjet e kombëtares dhe do të provojmë t’i dhurojmë tifozëve një ndeshje të mirë.”
MURINJO – “Për fat të keq në Itali sillen keq, ndërsa jashtë nuk ndodhin këto gjëra. Mund të jetë një ide ndalimi i lojës, siç është shprehur Ançeloti, por nuk më duket se Murinjo bëri ndonjë gjë të madhe.”