Magani: Ishim superiorë, por nëse zgjaste edhe 5 minuta, do humbnim

0

Trajneri i Teutës Gugash Magani ishte i zhgënjyer pas barazimit ndaj Kamzës, duke qenë paksa i paqartë nëse e kishte me rezultatin, apo me paraqitjen e të tijve, sepse refuzoi të pranonte se Teuta rrezikoi humbjen dhe luajti dobët, por nga ana tjetër e pranoi se Kamza dominoi në fund.

“Çdo njeri ka perceptimin e vet, por unë mendoj se kemi lënë dy pikë me Kamzën. Duhej të ishim treguar profesionistë dhe të kishim shënuar golin e dytë. Vazhdoj të them që skuadra nuk është gati për të luajtur në nivele të larta, kjo u pa edhe me ndërrimet sot, luajtën lojtarë të rinj që nuk e justifikuan besimin. Për sa i përket lojës, ishim superiorë, deri në momentin e golit, ndërsa më pas ndryshuam dhe gabuam, duhej menaxhuar ndryshe avantazhi. Për gabimin e mbrojtësit, është diçka e pranueshme, u ndodh edhe lojtarëve më cilësorë. Më shqetëson fakti që skuadra ra pre e presionit në fund dhe mund të kishim humbur, nëse do të luhej edhe 5 minuta më shumë.

“Tërheqja e skuadrës? Nuk e kërkova unë, erdhi si pasojë e presionit të kundërshtarit. Kishim lojtarë ofensivë dhe të shpejtë për të goditur në kundërsulm, si Çyrbja e Osemene, ndaj mund dhe duhej të kishim shënuar golin e sigurisë.

Dediç? Luajti në një pozicion të ri dhe e bëri mirë. Nuk e kam kritikuar personalisht, por thjesht komentova një ndërrim në ndeshjen e shkuar. Edhe sot e zëvendësova, por në raport me ndeshje të tjera jam më i kënaqur sot.

Nuk jam dakord që Kamza ishte superiore, është e kundërta. Lojtarët duhet të justifikojnë fanellën, sepse duhet të japin gjithçka në ço moment, që të meritojnë të luajnë, sepse sapo kemi filluar një projekt dhe jemi ende në hapat e parë, duhet shumë punë. Tani kemi një ndërprerje të shkurtër, që do të na ndihmojë paksa, sepse do të kemi kohë të punojmë në stërvitje”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.