Lushnja, nga miqësorja e Leçes tek aneksi i amortizuar i saj

Lojtarët kanë punuar në kushte shumë të këqija. Ekipi është në pritje të udhëtimit drejt Pogradecit, për të punuar në kushte më komode

Arjan Likja

Lushnja bëri 2 ditë pushim, pas rraskapitjes nga udhëtimi prej emigrantësh i kthimit nga Italia, ku luajti miqësoren me Leçen. Dje ekipi verdhejeshil i është kthyer stërvitjes në një nga anekset përballë tribunës së “Roza Haxhiut”. Në këtë seancë stafi teknik ka pasur në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve, që kanë firmosur me klubin, përveç Gentian Çelës, i cili kthehet nesër nga Italia. Për hir të së vërtetës, ky aneks është jashtë cdo standardi profesional për të zhvilluar një seancë stërvitore. Mungesa e barit, pluhuri mbytës dhe vapa torturuese në këtë fushë kanë bërë që edhe ultrasve të pranishëm t’u dhimbsen beniaminët e tyre, nga të cilët presin paraqitje dinjitoze në Superiore. Gjithsesi, futbollistët dhe stafi teknik presin të shtegtojnë drejt Pogradecit për vazhdimin e fazës përgatitore në kushte më të mira. Sipas sekretarit të Lushnjës, Irakli Zaka, zhvendosja drejt Pogradecit është çështje ditësh dhe klubi është në fazën përmbyllëse të veprimeve për akomodimin e futbollistëve në një nga hotelet e qytetit liqenor. Dje firma që po merret me rikonstruksionin e fushës së “Roza Haxhiu”, ka hequr mbeturinat e fundit të tapetit të vjetër, për t’ia lënë vendin punimeve për mbushjen e shtratit me inertet e nevojshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *