Një lajm i mirë vjen për Lushnjën: Më mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, të zhvilluar dje në mesditë, është miratuar një shtesë fondi vjetore prej 100 milionë lekësh të vjetra vetëm për ekipin e futbollit, që do të jetë pjesë e elitës sezonin e ri. Bashkia Lushnjë kishte miratuar një buxhet vjetor prej 300 milionë lekësh të vjetra vetëm për klubin e futbollit. Këtij fondi i bashkëngjiteshin edhe një vlerë prej 87 milionë lekësh të vjetra, të “thithura” nga akademia e grupmoshave të Lushnjës. Të dyja këto shifra, bashkë me shtesën e lekëve të miratuara në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, në total për një vit kalendarik kapin shumën e 487 milionë lekëve të vjetra. Një shifër relativisht e kënaqshme kjo për një klub futbolli, kur flitet vetëm për financa bashkie. Duhet theksuar se drejtuesit e klubit myzeqar, deri tani, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për ndonjë donator për ekipin e futbollit.
Miqësore luksi me Leçen më 3 gusht
Lushnja do të luajë një miqësore luksi me skuadrën e njohur italiane të Leçes, më 3 gusht në orën 20:30, në stadiumin “Via De Mare” të Leçes. Lajmin e konfirmon zyrtarisht edhe faqja zyrtare e klubit të njohur italian. Në fakt edhe në qytetin myzeqar, ka ditë që qarkullojnë zëra për një test me skuadrën e Leçes, e cila pritet që të ndiqet edhe nga shumë fansa lushnjarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj matanë Adriatikut.