Skuadra e drejtuar nga Fatmir Sala ka mundur miqtë nga Shënkolli. Spikasin sulmuesit, Xhabrahimi e Danaj realizojnë dygolësha
Bujar Balliu
Iliria-Shënkolli 4-3
Shënues: Bardhi 7’(11-m), Xhabrahimi 25’, 50’, Paplekaj 75’/ Danaj 23’, 62’, Ramaj 27’
Iliria: Ujka, Sala, Paplekaj, Balluku, Doçi, Turkaj, Kurti, Bardhi, Hasaj, Xhabrahimi, Selaci. (U aktivizuan: Baku, Gjoni, Voga, Lamaj, Dedgjonaj). Trajner: F. Sala
Shënkolli: Hasanaj, Gjoni, Mirdita, Mashi, Ramaj, Përgjini, Pjetrushi, Çeku, Doda, Kullaj, Danaj. (U aktivizuan: Suma, Nokaj, Mërdhoçi). Trajner: R. Kulli
Gjyqtarë: I. Ujka, E. Hushi, S. Shehu
Sezonin e ardhshëm grupi B do të ketë një derbi të veriut, pasi Iliria dhe Shënkolli janë zhvendosur në këtë grup dhe do të kenë si mision qëndrimin në këtë kategori ku garojnë. Një sfidë me shumë gola ajo e djeshmja në stadiumin “Redi Maloku”, teksa në fund kanë qenë vendasit që kanë triumfuar me rezultatin 4-3. Ndeshja nisi me mjaft ritëm dhe raste nga të dyja krahët, me Xhabrahimin që iu afrua golit në dy raste, ndërsa miqtë rrezikuan me Danajn. Goli do të vinte në minutën e shtatë, kur Turkaj fitoi një penallti dhe Bardhi u tregua i saktë përballë portierit kundërshtar.
Interesante sfida, pasi miqtë këmbëngulin dhe realizojnë me Danajn në minutën e 23-të. Për katër minuta u shënuan edhe dy gola të tjerë, me Xhabrahimin që riktheu avantazhin për Ilirinë, ndërsa Ramaj i dërgoi shifrat në 2-2, rezultat më të cilin do të mbyllej pjesa e parë e takimit. Iliria nuk u pajtua me rezultatin dhe do ta rikthente avantazhin pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë të takimit, ku protagonist ishte kapiteni Doçi me krosimin e tij për Xhabrahimin, që me kokë realizon golin e dytë personal dhe të tretin për fushë-krujasit.
Ruben Danaj duket se e ka marrë “personale”, teksa tregon edhe njëherë aftësitë e tij, duke barazuar sërish shifrat. Nuk mbaron këtu seria e golave, pasi Paplekaj do shfrytëzonte një krosim të Doçit nga një goditje dënimi dhe do “vuloste” takimin në 4-3 për Ilirinë.