Duelet e Nations League vijuan me sfidat e gjigantëve, në Grupin 2 dhe atë 4 të Ligës A. Belgjika triumfoi 2-1 përballë Zvicrës në duelin direkt për kreun. Vendimtar për “Djajtë e Kuq” ishte Romelo Lukaku. Sulmuesi realizoi dy gola, në minutat 58′ dhe 84′ për t’i dhënë suksesin ekipit të tij, duke bërë të pavlefshëm edhe barazimin e helvetëve me Gavranoviç.
Me këtë sukses, Belgjika kryeson Grupin 2 me 6 pikë të plota, ndërsa Zvicra mbetet në kuotën 3. Asnjë pikë për Islandën, befasinë e viteve të fundit në Europianin 2016 dhe Botërorin 2018, që pas dy humbjeve nuk ka grumbulluar asnjë pikë.
Në Grupin 4 të Ligës A, Kroacia dhe Anglia morën pikët e para në aktivitetin më të ri të UEFA-s, pas barazimit 0-0. Në ndeshjen e luajtur pa spektatorë, për shkak të dënimit të kroatëve, heshtja që mbizotëroi në këtë duel, nuk u thye as nga tentativat e të dyja skuadrave, të cilat në ndeshjet e mëparshme ishin mposhtur nga Spanja, që kryeson me pikë të plota.
Në Ligën B, Austria fitoi 1-0 ndaj Irlandës së Veriut, me ndeshjen që u vendos nga goli i Arnautoviç, në 20 minutat e fundit. Suksesi i parë i austriakëve, që më parë ishin mposhtur nga Bosnje-Hercegovina.
Në Ligën C, u luajtën vetëm ndeshjet e Grupit 2, aty ku Finlanda konfirmoi forcën, duke fituar 1-0 në fushën e Estonisë. Një sukses i vuajtur, me golin e realizuar në minutën e parë të kohës shtesë nga Puki, me të cilin finlandezët vazhdojnë ecurinë perfekte, me 9 pikë të plota.
Në ndeshjen tjetër, Greqia fitoi 1-0 ndaj Hungarisë, me golin vendimtar të realizuar nga Mitroglu në minutën e 65-të, me helenët që për momentin pozicionohen në vendin e dytë.
What a cross from Tsimikas and Mitroglou did what he does best and that’s score off a lovely header to lift Greece to victory over Hungry 1-0 #GREHUN #NationsLeague pic.twitter.com/4qa0GJi4Rz
— Nino (@Nino_416) October 12, 2018
Në Ligën D, u luajtën ndeshjet e Grupit 2. Bjellorusia bëri detyrën në shtëpi, duke mposhtur Luksemburgun me golin vendimtar të Sarokas në fundin e pjesës së parë dhe kryeson me 7 pikë pas tre ndeshjeve.
Në takimin tjetër, Moldavia mposhti 2-0 San Marinon, falë dy golave të realizuar nga Ginsari, nga një në secilën pjesë të lojës. Një fitore shprese për moldavët, që në kuotën e 4 pikëve, rikthehen në garën për vendin e dytë, me Luksemburgun që është vetëm 2 pikë larg.