Në 16 ndeshjet e luajtura në dy fazat e Kategorisë së Parë, skuadra e Elbasanit ka grumbulluar 10 pikë dhe renditet në vendin e 9-të. Kjo pozitë i rrezikon mbijetesën në kategori. Një gjendje kjo që flet për krizën që e ka kapur në tre vitet e fundit këtë skuadër pas mosmarrëveshjeve me kompaninë angleze, me të cilën janë ende në proces gjyqësor.
Ndërsa skuadra vuan këto pasoja, në javën e parafundit të fazës së dytë Elbasani pret në fushën e vet Pogradecin, në një sfidë të cilën trajneri Elvis Kotorri e quan si finale për objektivin që kanë verdheblutë.
Për SportEkspres.com, ish-portieri deklaroi se synimi i tyre i vetëm është marrja e tri pikëve. “Të gjitha ndeshjet janë të vështira për Elbasanin, edhe kjo me Pogradecin që do të luajmë nesër. Për ne do të jetë si një finale dhe vlerësimi është në maksimum, vetëm për të marrë tri pikët. Skuadra ka mungesë eksperience, sepse ka në përbërje shumë futbollistë të rinj. Të gjithë kanë dëshirë për të luajtur dhe për të fituar”.
Në ecurinë e Elbasanit për këtë sezon, trajneri Kotorri beson te mbijetesa, edhe pse ende skuadra vazhdon të “zvarritet” nga gjyqet e shumta me ish-pronarët anglezë dhe situata është ende e paqartë.
AGRON KAJA