Në derbin e fituar të Tiranës ndaj Partizanit, në stadium ishte edhe Ze Maria. Ardhja e këtij të fundit nuk ishte aq e rastësishme. Në media, ish-trajneri i Tiranës i shkeli syrin drejtuesëve të Partizanit duke u shprehur i gatshëm për të marrë vendin e Dajës. Ndërkohë trajneri Ergys Luga është shprehur në “Sport Zone” se Ze Maria është njohës i mirë i futbollit shqiptar, por vetëm i Kategorisë së Parë. Një këshillë kjo që vlen edhe për drejtuesit e Partizanit, nëse mund ta mendojnë një ndërrim të tillë në pankinë.
“Mendoj se skuadrat në derbi luajtën për fitore. Spektakli ishte në shkallët e stadiumit, jo në fushë. Tirana u shfaq më kërkuese dhe e gjeti golin me anë të penalltisë. Ekipet punuan për të prishur lojën e kundërshtarit, më shumë sesa të bënin lojën e tyre.
Shikoj një Tiranë që ka avantazhin psikologjik. Për Partizanin kemi shifrat kundër. Edhe këto acarimet që kemi dëgjuar së fundi te Partizani, vijnë për shkak të rezultateve. Duhet një riformatim tek të kuqtë. Nuk mendoj se Ze Maria është një njohës i mirë i Superiores, por ëshhtë njohës i mirë i Kategorisë së Parë.”, u shpreh Luga. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/