Luftëtari kthehet në Shqipëri dhe zyrtarizon përforcimet e fundit

Luftëtari ka mbyllur fazën përgatitore në Terme Çatezh të Sllovenisë, ku në kushte shumë të mira u përgatit për debutimin historik në Europa League, kundër Ventspils më 12 korrik në Letoni (16:45).

Ndërkaq, edhe merkatoja e klubit gjirokastrit mund të konsiderohet e mbyllur, pasi klubi ka zyrtarizuar kontratat që janë firmosur në Slloveni me disa futbollistë.

Kështu, nga Tomori është afruar mesfushori Eraldo Hyseni, ndërsa nga Besa beratasi tjetër Aldrit Oshafi.

Mesfushori Aristotel Bella është bërë pjesë e ekipit pas një periudhe me të rinjtë, ashtu si sulmuesi Sebastian Molla.

Mesfushori serb Vladan Milosavljev ka firmosur gjatë periudhës së fazës përgatitore në Slloveni, ashtu si mesfushori Maldin Ymeraj (ish-Kukësi) dhe sulmuesi veteran Mario Gurma, me një të shkuar të mbushur me klube greke e italiane. Ndërkaq, ka firmosur edhe mesfushori i ri Donaldo Açka, i cili ka qenë pjesë e Karaiskakis në divizionin e dytë grek sezonin e shkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *