Klubi gjirokastrit sqaron se ndryshimet nisin më 30 qershor, ndërkohë që shpreson shumë te qëndrimi i Milinkoviçit në stol
Gëzim Beqiri
Pas një heshtjeje të gjatë, drejtuesit e klubit të Luftëtarit kanë folur për situatën aktuale në ekip, duke sqaruar se ende nuk ka asnjë futbollist të larguar, me përjashtim të Zguros dhe portierit Ruçi. Sipas këtij klubi, nuk ka asgjë të vërtetë në atë çfarë është thënë për lojtarë si Bregu, Abazaj dhe Rroca. Edhe për trajnerin Mlladen Milinkoviç, klubi gjirokastrite sqaron se tani për tani çështja është pezull dhe në kohën e caktuar do t’i jepet zgjidhja e duhur. Për futbollistët, të cilët do të afrohen në merkaton e tanishme, gjithçka do të marrë rrugën e zgjidhjes pas vendosjes së trajnerit. Në Gjirokastër janë me shpresën se Milinkoviç do të jetë përsëri në drejtim të ekipit edhe për sezonin e ardhshëm.
Për largimin e Zguros është bërë e ditur se nuk erdhi nga klubi, por nga fakti se ai është larguar në SHBA, pranë familjes së tij. Edhe portieri Shkëlzen Ruçi, nga sa thuhet, është i nevojshëm për Luftëtarin, por ai është larguar me dëshirën e tij, sepse ka një ofertë në Rusi, ku kërkohet nga një skuadër e Superligës, që me vështirësi siguroi qëndrimin në të. Menaxheri i tij është duke negociuar dhe nga njoftimi i fundit mësohet se është siguruar kalimi i Ruçit në Rusi. Në kampin gjirokastrit, zhvillimet dhe ndryshimet do të fillojnë në datën e paralajmëruar, më 30 qershor.