Në dispozicion të stafi teknik janë të gjithë futbollistët dhe do të tentohet surpriza ndaj Flamurtarit, ashtu si ndaj Laçit
Gëzim Beqiri
Javën e ardhshme Luftëtari luan në Vlorë, përballë Flamurtarit. Konsiderohet një transfertë e vështirë për skuadrën gjirokastrite, sepse një sezon më parë Flamurtari ishte ekipi, që realizoi tri fitore dhe një barazim me Luftëtarin. Ishte kundërshtari, që i mori më shumë pikë Luftëtarit dhe njëkohësisht i shkaktoi humbjen më të thellë, 5-0 në Vlorë. Jo vetëm kaq, por skuadra vlonjate vjen në këtë takim me moral të lartë, pas fitores në Durrës. Pavarësisht kësaj, Luftëtari do të kërkojë të surprizojë si ndaj Laçit, duke kërkuar të mos dalë pa pikë nga transferta me Flamurtarin. Jo pa qëllim ekipi ka filluar menjëherë përgatitjet, pa bërë asnjë ditë pushim pas takimit me Vllazninë. Në stërvitjen e djeshme kanë qenë të gjithë futbollistët në stërvitje dhe do të jenë të gjithë të gatshëm. Rroca, i cili u aktivizua për disa minuta ndaj Vllaznisë, e ka kaluar plotësisht dëmtimin dhe është në gjendjen e duhur fizike.
Po kështu, edhe Zguro është stërvitur me grupin. Pa asnjë mungesë do të udhëtojë Luftëtari drejt Vlorës, por ende nuk mund të parashikohet se kush do ta nisë lojën nga fillimi, sepse në tri javët e para janë aktivizuar futbollistë të ndryshëm. Dihet boshti i skuadrës, por dje përsëri u është kushtuar më shumë kohë veprimeve taktike. Para fillimit të stërvitjes janë vënë edhe një herë në dukje mangësitë e shfaqura në ndeshjen me Vllazninë, por mësohet se dyshja e trajnerëve Fernandez-Curbelo nuk ka bërë vërejtje. Stafi ka bërë me dije se ka mbetur i kënaqur nga kontributi dhe angazhimi i lojtarëve, por duhet përmirësuar loja në grup e sidomos përqendrimi për të mos dalë nga rolet. “Eliminoni pasimin e gabuar dhe kuptohuni më mirë, sidomos në pasimin e gjatë”, – është thënë nga dyshja e trajnerëve.
Stërvitja e djeshme nuk ka pasur ndryshime nga ajo e një dite më parë. E veçanta ishte se futbollistët, të cilët do të luajnë ndaj Elbasanit për Kupën e Shqipërisë, janë stërvitur veç, duke marrë më pak ngarkesë fizike.
SHKURTAJ – Futbollisti Vasil Shkurtaj, i cili u mendua se ishte zgjedhja e duhur për sulmin, pas disa ditëve stërvitje të diferencuar, dje ka vepruar bashkë me grupin, pavarësisht se nuk do të aktivizohet deri në fund të vitit. Pengesë është bërë aktivizimi për pak minuta me ekipin e Aris Limasol të Qipros dhe nuk lejohet të aktivizuar me një skuadër tjetër. Dy ditë më parë i është dërguar një tjetër kërkesë organit më të lartë të futbollit europian për mundësinë e lejes, duke qenë se është i federuar me Luftëtarin.