Zhoze Murinjo e gjen gjithnjë rastin të polemizojë, humbje apo fitore pak rëndësi ka.
Sot Mançester Junajtid fitoi në Liverpul ndaj Evertonit dhe trajneri portugez kishte një “guralec për të hequr nga këpuca”.
Sulmi frontal i Murinjos i drejtohej një legjende re Mançester Junajtid si Pol Skols. Ky i fundit ka kritikuar ashpër Pol Pogbanë, si një blerje rekord që nuk po bën liderin në Mançester.
Murinjo reagon ashpër: “Mendoj se Pol Skols vetëm kritikon, nuk komenton, por jo të gjithë duhet të jenë fenomenalë si ai. Pogba jep maksimumin, ka ditë super, ka ditë të mira dhe ditë jo dhe aq të mira. Nuk është faji i Pogbanë që ka fituar shumë më tepër para se Skols. Mendoj se Skols ka qenë fenomenal si lojtar dhe do të mbahet mend si i tillë, jo si analist i mirë sportiv, ndaj unë preferoj ta shoh si një ish-legjendë të klubit të cilin jam krenar që e përfaqësoj. Nëse Skols vendos të bëhet trajner, i uroj të fitojë 25% të trofeve të mi, do ishte shumë i lumtur po të fitonte aq shumë, por në mendjen time ai ka qenë fenomenal si mesfushor, i cili ka dhënë një kontribut të shkëlqyer për ta bërë këtë klub kaq të madh”.