Rajo Vajekano do të përballet me Kristal Palasin më datë 27 maj në finalen e Ligës së Konferencës. Mediat kanë qenë sot të pranishme në kampin e skuadrës spanjolle, ku kanë zhvilluar një intervistë edhe me mbrojtësin shqiptar, Ivan Balliu. Lojtari i Kombëtares shqiptare ka deklaruar se të gjithë lojtarët, qoftë ata që luajnë më pak, e kanë shkëndijën e duhur në prag të kësaj sfide.
Por nuk ka munguar edhe humori nga ana e Balliut. I pyetur se çfarë premtimi jepte nëse Rajo Vajekanoja do të fitonte trofeun, mbrojtës i krahut të djathtë u përgjigj se do t’i vendosnin flokë shokut të skuadrës, Isi Palazonit. Ai ka thënë me humor se një udhëtim në Turqi, një vend që njihet për mbjelljen e flokëve, nuk do të ishte keq për Palazonin.
“Ata (tifozët) na ndalojnë në rrugë ose në fushën e stërvitjes. Jemi të gjithë plotësisht të angazhuar. Të gjithë e kanë atë gëzim, atë shkëndijë. Kemi mbërritur në kohën e përsosur.
Çfarë premtimi do të jepja nëse do të fitonim Ligën e Konferencës? Nuk e di, ndoshta mund t’i japim Isi Palazonit një paruke ose diçka të tillë. Jam i sigurt se mund të gjejmë dikë që ta sponsorizojë. Një udhëtim në Turqi nuk do të ishte keq”, ka thënë Ivan Balliu./Sport Ekspres/