Godberg Kuper po bën te Kukësi që Vasil Shkurtajt të mos i ndihet shumë mungesa, teksa arriti që të shënonte ndaj Tiranës dhe realizoi dopietën ndaj Teutës. Por cili është objektivi i këtij sulmuesi të afruar në janar? Kuper sheh shumë larg, aqsa kërkon që të luajë në elitën e futbollit të Italisë dhe të përfaqësojë Kombëtaren e Ganës. Në një intervistë për “Gianluca Di Marzio”, sulmuesi i Kukësit ka treguar me krenari se luan për Kukësin, një nga ekipet me më shumë histori në Shqipëri dhe ka folur për qëllimet për të cilat është duke punuar.
“Këto janë eksperienca që të bëjnë të rritesh në fushë dhe jashtë saj. Kam ardhur në janar, Kukësi është një nga ekipet me më shumë histori në Shqipëri. Jetoj për golin dhe dua të shënoj sa më tepër të jetë e mundur. Ne besojmë se do ta arrijmë titullin kampion, mund ta bëjmë. Këtu luhet një futboll shumë fizik dhe sulmuesit e kanë të qartë sesi duhet të veprojnë. Dua të rritem sa më tepër të jetë e mundur. Dy qëllimet e mia kryesore janë që të mbërrij në Seria A dhe të luaj me Kombëtaren e Ganës. Po punoj për këtë gjë”, tha Kuper. /Sport Ekspres/