Loret Sadiku refuzoi t’i bashkohej Shqipërisë për ndeshjet me Skocinë dhe Uellsin. Edhe pse trajneri Kristian Panuçi u shpreh se ka kërkuar kohë dhe se nuk ka refuzuar, çdo është e qartë dhe zgjedhja e mesfushorit-mbrojtës të Kasimapasha është Kosova.
Asgjë e keqe në këtë mes, kështu dëshiron dhe është çështje zemre. Me rezultatet e fundit që Dardanët kanë marrë kohët e fundit, do të jenë të shumtë ata që do dëshirojnë të përfaqësojnë shtetin e tyre.
Presidenti i FFK, Agim Ademi, për “Supersport” është shprehur se i kanë dyer e hapura për këdo lojtar që e ndjen Kosovën. “Ndikon ky vend i parë kjo në prurjet e reja, por secili që ka qenë deri më tani e ndjen Kosovën dhe ata që e ndjejnë janë të mirëseardhur. Sigurisht do të kemi prurje të reja, që i presim me padurim. Më gëzon fakti që kur flitet për disa nga futbollistët, që mos t’i bëj publike tani, pasi janë duke ardhur. I gjithë grupi, pasi unë flas me ta, është në gjendje t’iu presë me duart hapur”.
“Mund të zbuloni një emër? Emri i parë është Loret Sadiku, të cilit do t’ia përfundojmë dokumentacionin. Sigurisht që ka edhe të tjerë, por e thashë Loret Sadikun pasi na ka mbetur peng nga ato ndeshjet miqësore. Pastaj ishte gjendja e tij e keqe në dokumentacion, që do të marrin një rrugë tani”, përfundoi Ademi.