Futbolli dhuron surpriza nga më të ndryshmet. Ka raste kur ke përfunduar në stol dhe nuk beson se do aktivizohesh shumë nga trajneri yt. Megjithatë, mjafton një dëmtim i sulmuesit kryesor dhe t’i fillon e shfrytëzon këtë mundësi. Të duhet të jesh gjithmonë gati dhe Fernando Lorente e ka bërë diçka të tillë.
34-vjeçari, i cili festoi dje ditëlindjen, bëri që Totenhemi të mos e ndjente mungesën e Herri Kejnit. Spanjoll ka folur për “Radio Marca”, duke komentuar zërat e një rikthimi të tij tek Atletik Bilbao. Lorente është një bask puro dhe si i tillë i takon ta mbyllë karrierën aty ku e nisi.
Sulmuesi komenton dhe garën në Champions. Ai shënoi golin e tretë në fitoren 3-0 kundër Dortmundit në Angli dhe Totenhemi i tij është me një këmbë në çerekfinale. Gara është e fortë, ndërsa duhet patur shumë kujdes nga Reali i Madridit.
Në fund një koment për Kepan, portierin e Çelsit dhe Alvaro Moratën e Atletikos së Madridit. Të parin e vlerëson për veprimin e bërë, ndërsa për të dytin ka një vlerësim të madh dhe i vjen keq që iu anulua padrejtësisht goli kundër Juventusit.
BILBAO – “Është folur shumë për një rikthim timin për ta mbyllur karrierën tek Atletik Bilbao, por e dija që do të ishte e komplikuar, duke parë dhe dëmtimet e shumta që pësuan ‘Spurs’ gjatë muajit janar. Nuk i kam bërë asnjë kërkesë Totenhemit, por do të ishte diçka shumë e bukur që të rikthehesha te Bilbao dhe ta mbyllja karrierën atje.”
CHAMPIONS – “Ka shumë ndeshje dhe faktorë që përcaktojnë rrugëtimin në Champions. Në çdo ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Të gjitha ekipet janë paksa favorite, por në vitet e fundit Reali i Madridit ka qenë ekipi më i mirë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Kur vijnë ndeshjet e vërteta, ata arrijnë të nxjerrin në pah më të mirën e tyre.”
KEPA – “Ndodhi diçka që nuk rastis të ndodhë shpesh në futboll. Kepa tregoi shumë personalitet. Në pankinë menduan se ai kishte probleme fizike, por portieri insistoi se ishte mirë dhe e tregoi një gjë të tillë.”
MORATA – “Alvaro është një sulmues mbresëlënës dhe më ka ardhur shumë keq për dy golat që i janë anuluar kundër Realit dhe Juventusit. Aksioni i golit kundër Juves është diçka normale në futboll. Ajo nuk është kurrë faull.”