Lorenc Jemini e ka mbyllur me arbitrimin, por mbetet aktiv në sport si specialist gjykimi dhe është vëzhgues pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Sot ai është befasuar nga një polic rrugor në zonën e Komunës së Parisit.
Pranë njërës prej degëve të Union Bank, Jemini është ndalur dhe ka parkuar makinën e tij. Makina e policisë, që po patrullonte në zonë, ka ndalur pranë makinës së ish-gjyqtarit dhe njëri prej policëve ka komunikuar me ish-arbitrin e FIFA-s: “Zotëri, e ke ndalim parkimi dhe është pa karton të verdhë, merr karton të kuq direkt”.
Sa duket polici është një ndjekës i futbollit shqiptar dhe e ka njohur Jeminin, të cilin e ka falur. “Dy sekonda punë kam”, është shprehur ish-gjyqtari, sikurse bëjnë me dije burime të “SportEkspres.com” nga vendngjarja e këtij episodi. Jemini ka kryer punët e tij në bankë dhe më pas është larguar.