Pas deklaratës së Brdariç në Gjermani, këtë herë ishte Longo që ka dhënë një intervistë për një media italiane. Në të dy rastet, shihet dukshëm dëshira e tyre për të marrë gjithë heroizmin për rezultatet e arritura. Sigurisht që Longo ka marrë gjithë vlerësimet në mediat shqiptare për lojën e bërë dhe befasinë e madhe për gjendjen e ekipit, por është jo pak e ekzagjeruar kur shprehet në Itali se Kukësi rrezikonte të binte nga Kategoria.
“Kur mbërrita, në fund të tregut të transferimeve, më duhej të merresha me një ekip që praktikisht ishte ribërë dhe me një buxhet të reduktuar dukshëm. Ideja e përgjithshme ishte që mund të binte edhe nga kategoria, por pas 6 muajsh jemi të dytët në renditje dhe mund të luajmë për kampionatin. Ne jetojmë në Tiranë për momentin, sepse qyteti i Kukësit është i bukur por është 13 gradë nën zero. Stadiumi i ri është gati, por praktikisht i papërdorshëm: ka një entuziazëm të madh, tifozët presin të kalojë i ftohti i madh për ta inauguruar.
Shpesh me tifozët tanë tallen kur shkojmë nëpër qytetet e tjera. Ka një dëshirë të madhe hakmarrëse te ata. Me lojtarët në fushë shfrytëzojë gjithashtu ndjenjën e tyre të përkatësisë, e cila është shumë e fortë. Ne jemi këtu për të luftuar, për të dhënë një mesazh të ri”, tha Longo për “Cronache di Spogliatoio”. /Sport Ekspres/