“Lojtari i Kukësit ka braktisur stërvitjet”, Matraxhiu me besim të plotë: Kukësi dhe Partizani do lirohen nga penaliteti i merkatos

Klubi i Partizanit dhe së fundi edhe ai i Kukësit rrezikojnë të mos kenë mundësi të zhvillojnë merkato këtë verë. Një gjë e tillë sjell probleme të mëdha për të dyja skuadrat, të cilat humbasin shansin të krijojnë një grup konkurues për sezonin e ardhshëm, duke ditur edhe objektivat madhor që këta emra kanë në kampionatin shqiptar.

Megjithatë ky është një problem që me shumë mundësi do të marrë një zgjidhje pozitive. Të paktën i këtij mendimi është menaxheri shqiptar i futbollistëve, Andi Matraxhiu. Ky i fundit ka folur për “Syri TV” dhe duket shpresë plotë se Partizani dhe Kukësi do të jenë të lirë shumë shpejt nga ky dënim.

Bllokimi i merkatos: “Nuk është një imazh i mirë që krijojmë. Mendoj se si Partizani, ashtu edhe Kukësi, do të lirohen nga ky penalitet mjaft shpejt. Kam informacionin që lojtari i Kukësit, (Filip Zderiç) ka abandonuar stërvitjet. Drejtuesit e kanë dërguar tek ekipi B, por nuk ka pranuar dhe është larguar në mënyrë të njëanshme. Edhe për Partizanin ka një nxitim. Mund të jetë nxituar disi Partizani, pasi Çinari kishte një situatë të komplikuar. Drejtuesit duhet të kishin bërë pak më tepër kujdes, pasi për Çinarin ishte situata e koklavitur. Ndaj shpresoj që edhe Partizani ta zgjidhë këtë problem”.

Kupa e Shqipërisë: “Teuta është më e avantazhuar, pasi ka më tepër motivim. Tirana më duket paksa e velur me titullin që fitoi. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe të shohim kush do të fitojë. Duhet bërë kujdes me arbitrimin, pasi ndeshje të tilla kanë presion”, ka thënë Andi Matraxhiu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *