Lojtarët s’kanë motivim, e dinë prej kohësh largimin e trajnerit

0

Prapaskena/ Futbollistët të habitur me mungesën e trajnerit në dhomat e zhveshjes kur përfundoi sfida me Luksemburgun. Shumë rrallë e kishte bërë këtë gjest. Diskutimi i teknikut: “Bëjeni për veten tuaj”

Humbja ndaj Luksemburgut është pritur nga ambienti kuqezi me ftohtësi të madhe. Edhe pse në intervistat me mediet lojtarët janë dukur të mërzitur, fakti është që brenda tyre nuk ndjejnë asgjë. Në dhomat e zhveshjes, fjalën e kanë marrë disa lojtarë, mes tyre Mavraj, por edhe të tjerë si Hysaj, apo Migjen Basha e Abrashi. Të gjithë janë përpjekur që të thonë diçka për të mbajtur në tonus grupin… Dhe, sikur kjo të mos mjaftonte, teksa prisnin që të vinte trajneri t’i fliste, ai vendosi që të largohej direkt në hotel dhe aty, pasi darkuan, i mblodhi duke i mbajtur një diskutim. Por, të gjithë lojtarët, pa përjashtim, e dinë prej kohësh që trajneri do të braktisës pas ndeshjes Izrael-Shqipëri, edhe në rast fitore. Sigurisht, diskutimi që trajneri ka mbajtur me futbollistët ka pasur lidhje jo me të, por me atë që ata mund të bëjnë në të ardhmen, duke nisur nga sfida me Izraelin.

Sinjali “Xhaka” – Taulant Xhaka ishte i pari që braktisi anijen e drejtuar nga kapiteni Xhani de Biazi, duke e bërë publikisht, jo si Gashi me të tjerë. Mesfushori i Bazelit, i vetëdijshëm se fundi i italianit po afronte, vendosi të dilte zbuluar si rebel dhe duke marrë në krahun e tij audiencën, në këtë rast publikun dhe tifozët. Pikërisht deklaratat e vazhdueshme të tij ishin ato që ndezën edhe më shumë këtë temë, duke ushtruar presion – pa e kuptuar – pas shpatullave të trajnerit italian. Pikërisht Xhaka, në një komunikim me futbollistë të grupit kuqezi ka bërë me dije se trajneri i ka ditët e numëruara.

Fërkimet  – Futbollistëve, sakaq, nuk i kanë  pëlqyer që shpesh trajneri i ka kritikuar hapur teksa ka mbrojtur veten e tij dhe s’ka mbajtur përgjegjësitë. Një tjetër çështje që është diskutuar në shumë forma ka qenë shiriti, që ka kaluar krah më krah dhe pa ide të caktuara. Njëherë Etrit Berisha, pastaj Hysaj, pastaj Mavraj, pastaj Agolli sërish si “pronari i saj” dhe tani sërish ndryshim.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.