Tashmë është e ditur që prej shumë kohësh funksioni i Presidentit të Republikës në Shqipëri është më shumë një post nderi. Kjo pasi i janë hequr thuajse të gjitha të drejtat për të marrë vendime të rëndësishme që mund të kenë impakt të madh në shoqërinë tonë.
Por Presidentit Bajram Begaj i vjen topi te këmbët dhe tani ka filluar të luajë. Mesa duket, Presidentit të Republikës po i pëlqen kjo vëmendje e madhe e marrë nga fusha e futbollit, ku tifozët, lojtarët dhe pjesëtarët e stafeve të ekipeve kombëtare të Shqipërisë janë me sytë nga Begaj.
Nëse nuk ka fuqi për të ndryshuar, Presidenti ka kuptuar se ka një peshë të madhe për të bllokuar, veçanërisht futbollin. E teksa sheh gjithë situatën, Begajt i shtuar oreksi për të dalë nga detyrat e tij të zakonshme dhe nga ai post i…”presidentit të nderit”.
Lojtarë të ndryshëm që kanë refuzuar Gjermaninë, Zvicrën dhe vende të tjera e kanë të pamundur që të luajnë me Shqipërinë. Arsyeja është qesharake, gati fyese, nuk dekretohen dhe nuk marrin dot pashaportën. Sikur të mos mjaftonte fuqia e vogël që ne kemi si shtet dhe natyrisht, edhe në futboll, duhet të përballemi edhe me largimet e disa prej lojtarëve më të mirë për çështje…burokratike.
Disa lojtarë të Shqipërisë U-21 që ishin në listën e Alban Bushit për ndeshjet e shtatorit nuk do të vijnë te Shpresat pasi pasaportat nuk u dhanë nga Begaj. Gjithashtu edhe Mirlind Daku me Arbnor Mujën nuk mund të luajnë dot me Shqipërinë A, ende jo, pasi vonesa e madhe për t’i paraqitur dokumentacionin FIFA-s nga presidenca, po mban peng edhe formacionin e Silvinjos.
Trajneri brazilian do ta kuptojë vetëm në ditët e fundit nëse Arbnor Muja dhe Mirlind Daku janë zyrtarisht të lejuar për të luajtur me Shqipërinë në një ndeshje zyrtare. Kështu ndodh edhe në grupmoshat e tjera, ku disa talente mund ta mendojnë dy herë tani rikthimin në vendin ku duhet të vuash vetëm për dëshmin e të qenit…shqiptar!
Është e palogjikshme që të themi se Presidenti i Republikës është “në gjumë” të thellë dhe e ka lënë futbollin në plan të dytë. Jo, përkundrazi, e kupton fare mirë rëndësinë e kësaj situate dhe është ndoshta një nga të paktat momente ku e ndien më shumë peshën e postit të tij. Begaj ka nisur të luajë, vetëm se ka ngatërruar portën, nuk duhet t’i shënojë gola Shqipërisë sepse autogolat na dëmtojnë, ajo e kundërshtarit është në krahun tjetër. /Sport Ekspres/