“Lojë shahu” dhe bunker, kështu u thye dominimi i Skënderbeut

Trendi i Kategorisë Superiore, ku rezultati vlen mbi gjithçka, madje duke sakrifikuar disi edhe spektaklin, vazhdon edhe në këtë sezon. Pretendentët për titull kanë zgjedhur t’i zhvillojnë ndeshjet si “lojë shahu”: me durim, duke mos i lënë asgjë rastësisë, në kërkim të një goli vendimtar dhe mbi të gjitha me shumë kujdes në mbrojtje.

E tregojnë statistikat e gjashtë javëve të para të kampionatit, ku në 80 për qind të ndeshjeve (24 nga 30 përballje) janë shënuar dy ose më pak gola. Mbrojtja hermetike është mënyra si Kukësi dhe Partizani kanë vendosur të thyejnë dominimin absolut të sezonit të kaluar nga Skënderbeu.

Fjalëkalimi është “të mos pësohet gol”. Kjo stategji ka dhënë efekt te Partizani i Skënder Gegës, ku përpos lojës së shpejtë dhe presingut të lartë, në pritje të shpërthimit të sulmuesve, ajo që jep garanci është mbrojtja. Vetëm një gol i pësuar në gjashtë ndeshje, ai në javën e parë në humbjen në Korçë.

Mesatarisht 0,17 gola pësuar, për një bunker që i ka projektuar të kuqtë në krye të renditjes përkrah Kukësit. Skuadra e Armando Cungut ka pësuar tre gola (mesatarisht 0,5 gola për ndeshje), por giithashtu ka shënuar edhe më tepër se rivalët: 7 rrjeta kundër 5 të të kuqve.

Mbrojtja nuk është më një prej pikave të forta të Skendërbeut, me kampionët që megjithë riformatimit total, mund të krenohen të paktën se kanë sulmin më të mirë, me 8 gola të realizuar. A do të mjaftojë kjo? Vetëm koha do t’a tregojë. Vërtetë sulmi i fiton ndeshjet, por mbrojtja fiton kampionatin. Një parim i përhapur në futbollin italian, i cili mund të zbatohet edhe në Shqipëri, ku rezultati është kthyer në objektivin primar për drejtuesit, skuadrat dhe trajnerët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *