“Lojë ndryshe, ndjesi e çuditshme të shihje stolat bosh”, Teco i Laçit rrëfen rifillimin e Superiores në Brazil: Asgjë më pak se ligat kryesore

Futbolli në Shqipëri ka mbyllur me sukses ndeshjet e para pas rikthimit të Superiores ditën e djeshme. Padyshim që këtë herë ndeshja ishte ndryshe nga çfarë ishim mësuar më parë, pasi stadiumet ishin të boshatisur dhe lojtarëve u është dashur të respektojnë protokollin e hartuar nga FSHF. Mungesa e tifozëve në tribuna sjell një tjetër impakt në lojë dhe këtë e konfirmon edhe sulmuesi brazilian, Teco.

Ky i fundit ka rrëfyer në Brazil për “Futebol Interior” rikthimin e futbollit në vendin tonë. Sipas tij protokollet janë në përputhje me ato të kampionateve njohura europiane dhe në këtë aspekt nuk ka asgjë mangët nga ligat kryesore. Teco thekson se loja ishte ndryshe, ndërsa stolat e boshatisur i krijonin një ide të çuditshme.

“Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të rikthyer futbollin në Shqipëri. Klubi na ka dhënë mbështetje të plotë në të gjitha fushat. Të gjitha protokollet që po shihen në kampionatet e tjera të Europës janë zbatuar edhe këtu në Shqipëri. Nuk ka asgjë më pak nga ligat kryesore.

Loja në vetvete ishte shumë ndryshe. Jemi mësuar të luajmë me tifozët, qoftë tanët apo kundërshtarët, kjo ndikon shumë në ndeshje. Ishte një ndjesi shumë e çuditshme të hidhje sytë nga stolat dhe t’i shihje ata të boshatisur. Por duhet ta dimë se kjo është e nevojshme në mënyrë që, me dëshirë të Zotit, gjithçka të jetë e mundur të rikthehet në normalitet”, është shprehur Teco./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *